Në fjalimin e tij historik para Parlamentit spanjoll, Papa Leoni XIV ka dënuar konfliktet e armatosura dhe përshkallëzimin e tensioneve ndërkombëtare.
Ati i Shenjtë, paralajmëroi se bota po kalon një krizë të thellë shpirtërore dhe kulturore, e cila sipas tij po ushqehet nga dhuna, polarizimi dhe mosbesimi mes kombeve.
“Çdo luftë përbën, në fund të fundit, një dështim të dhimbshëm të aftësisë për të negociuar dhe gjithashtu të asaj ndërgjegjeje të përbashkët njerëzore që njeh lidhjet e drejtësisë midis kombeve”, tha Papa Leoni.
Fjalimi i Papës vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa Izraeli dhe Irani vazhdojnë shkëmbimet e sulmeve.
Kreu i Kishës Katolike bëri thirrje që mosmarrëveshjet ndërkombëtare të zgjidhen përmes diplomacisë dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
“Paqja kërkon guxim diplomatik, përgjegjësi etike dhe detyrimin e shteteve për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre përmes mjeteve paqësore që ofron e drejta ndërkombëtare”, shtoi Papa.
Në fjalimin e tij para ligjvënësve spanjollë, Papa u ndal edhe te emigracioni, duke theksuar se dinjiteti njerëzor duhet të mbetet në qendër të çdo sistemi ligjor dhe politik.
“Pohimi i dinjitetit njerëzor nuk mund të mbetet abstrakt kur kaq shumë njerëz detyrohen të lënë gjithçka pas në kërkim të paqes, sigurisë dhe një të ardhmeje më të mirë”, tha Papa.
Papa Leo XIV kritikoi gjithashtu gjuhën përçarëse në politikë. Ai kërkoi që të shmangen sulmet nga partitë.
Fjalimi i Papës u prit me duartrokitje të gjata nga deputetët në sallën.
Vizita e tij në Spanjë do të vazhdojë deri të premten, ndërsa një nga ndalesat më simbolike do të jetë në Ishujt Kanarie, ku ai do të takojë emigrantë që mbërrijnë në Evropë përmes një prej rrugëve më të rrezikshme./mxh
