Valdis Dombrovskis paralajmëroi të premten se ekonomia e Bashkimit Evropian po rrezikohet nga një situatë e mundshme stagflacioni, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, të nxitura nga lufta SHBA–Izrael ndaj Iran.
Ai tha se perspektiva ekonomike mbetet e pasigurt dhe se BE-ja mund të përballet me një “shok stagflacionar”, ku rritja ekonomike ngadalësohet, ndërsa inflacioni rritet. Sipas tij, edhe nëse ndërprerjet e furnizimeve energjetike do të jenë të shkurtra, rritja e BE-së në 2026 mund të jetë rreth 0.4 pikë përqindje më e ulët se parashikimet e vjeshtës, ndërsa inflacioni mund të jetë deri në një pikë përqindje më i lartë.
Në rast ndërprerjesh më të gjata dhe më të mëdha, ndikimi negativ mbi rritjen do të jetë edhe më i madh, me ulje të mundshme deri në 0.6 pikë përqindje në vitet 2026 dhe 2027.
Dombrovskis gjithashtu njoftoi se Komisioni Evropian do të propozojë masa për uljen e taksave mbi elektricitetin, për të përmirësuar produktivitetin e infrastrukturës së rrjetit dhe për të modernizuar sistemin e tregtisë së emisioneve, duke synuar të mbrohet konsumi dhe të ulet volatilitati i çmimeve. Ai tha se Komisioni është i gatshëm të punojë ngushtë me shtetet anëtare për masat kombëtare që të zbusin efektet e çmimeve të larta të energjisë.
Dombrovskis nënvizoi se shkalla, rëndësia dhe ndikimi ekonomik i luftës janë rritur që nga takimi i fundit i ministrave të financave të BE-së vetëm pak javë më parë./mxh
