Shqipëria pritet të përjetojë një ditë tipike dimri, me temperatura të ulëta dhe reshje të herëpashershme shiu e dëbore, sidomos në zonat malore.
Sipas parashikimeve, zonat bregdetare do të kenë mot kryesisht të vranët me reshje të dobëta shiu gjatë paradites. Temperaturat do të luhaten nga 7°C deri në 13°C.
Në zonat e ulëta në qendër të vendit, parashikohet mot i ftohtë me vranësira të dendura. Nuk përjashtohen reshjet e shkurtra të shiut gjatë ditës. Temperaturat pritet të jenë midis 4°C dhe 9°C.
Zonat malore do të kenë mot më të acartë. Reshjet e dëborës do të jenë prezente kryesisht në veri dhe juglindje, duke krijuar shtresa të reja dëbore në lartësitë mbi 900 metra. Temperaturat do të variojnë nga –4°C në 3°C.
Era pritet të jetë mesatare në territor, më e fortë në bregdet, duke bërë që ndjesia e të ftohtit të jetë më e theksuar./K.M
