Me një veshje spektakolare, plot gurë shkëlqyes, vezullim dhe një gjarpër gjigant të mbështjellë rreth trupit, Paris Hilton nderoi Britney Spears për Halloween-in, duke rikrijuar një nga imazhet më ikonike të yllit të muzikës pop.
44-vjeçarja zgjodhi pamjen që Spears kishte prezantuar në vitin 2001, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve MTV Video Music Awards, kur ishte ngjitur në skenë për të interpretuar këngën “I’m a Slave 4 U”.
Përmes videove dhe fotografive të publikuara të shtunën, më 24 tetor, në Instagram, Paris Hilton zbuloi një pjesë të kostumit të saj për Halloween-in e këtij viti. Në njërin prej postimeve, ajo shkroi: “Ups… e bëra sërish dhe ia dola shkëlqyeshëm”, duke iu referuar këngës së Britney Spears, “Oops!… I Did It Again”.
Kostumi përfshinte pantallona të shkurtra të zeza, me një motiv fluture blu, geta rrjetë dhe një rrip të gjerë të artë, të zbukuruar me lule dekorative. Veshjen e plotësonte një bluzë e shkurtër jeshile, e zbukuruar me gurë rozë shkëlqyes, si dhe një gjarpër i madh i mbështjellë rreth trupit të saj.
Hilton e kompletoi pamjen me doreza në ngjyrën e lëkurës, të zbukuruara me gurë shkëlqyes, një gjerdan të përshtatur me veshjen dhe çizme të larta deri te gjunjët, të mbuluara me shkëlqim dhe gurë dekorativë. Në pjesën e gjoksit kishte krijuar gjithashtu një motiv të ndërlikuar me gurë vezullues, ndërsa kishte mbuluar trupin me shkëlqim.
Miqësia e Paris Hilton me Britney Spears daton prej disa dekadash, ndërsa kostumet e frymëzuara nga këngëtarja janë kthyer tashmë në një element të spikatur të paraqitjeve të saj për Halloween.
Në vitin 2023, Hilton rikrijoi pamjen e Spears nga videoklipi i këngës “Toxic”, duke veshur një uniformë stjuardese në ngjyrë blu të çelët, me detaje metalike në bel, jakë të lartë dhe dekolte të hapur. Veshjen e plotësonin një kapele në të njëjtin stil, doreza pa gishta dhe çizme metalike me majë të mprehtë dhe taka të larta./mxh
