Turistë të shumtë në Paris janë shprehur të habitur nga temperaturat e larta që kanë përfshirë kryeqytetin francez këtë javë, ndërsa Franca po përballet me valën më intensive të të nxehtit të regjistruar ndonjëherë gjatë muajit maj.
Pranë Kullës Eiffel, vizitorë dhe banorë janë parë duke kërkuar freski pranë shatërvanëve dhe duke pushuar në hapësirat e gjelbra nën çadra për t’u mbrojtur nga dielli përvëlues.
Një turiste nga Argjentina, Sofia Vanicki, tha se ishte surprizuar nga moti në Paris.
“Është hera e parë që vij këtu dhe gjithmonë më kanë thënë se Parisi është i ftohtë, me re dhe shi. Jam shumë e surprizuar”, u shpreh ajo.
Sipas autoriteteve franceze, shtatë persona kanë humbur jetën si pasojë direkte ose indirekte e temperaturave ekstreme. Ministrja e deleguar për Energjinë, Maud Bregeon, deklaroi se qeveria u ka kërkuar autoriteteve lokale të marrin masa mbrojtëse për qytetarët, sidomos gjatë aktiviteteve sportive dhe grumbullimeve në ambiente të hapura.
Shërbimi meteorologjik francez Meteo France ka vendosur pjesën më të madhe të rajonit të Brittany në nivel alarmi portokalli, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 36 gradë Celsius.
Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, duke rritur shqetësimet për ndikimin e saj tek shëndeti i qytetarëve dhe turistëve në të gjithë Francën./mxh
