Last Updated on 07/11/2026 by EL
Në përpjekje për të shpëtuar rezultatin e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ndryshoi strategji në ditët e fundit të fushatës. Ai foli më pak për presidentin Donald Trump dhe u përqendrua te çështjet që përfaqësojnë identitetin e tij politik.
Sipas një analize të agjencisë Reuters, bazuar në gjashtë fjalime të mbajtura që nga konventa republikane në shtator, Vance e mbështeti fushatën e republikanëve kryesisht te temat që lidhen me programin e tij politik. Ai shmangu politikat më të debatueshme të Trump, përfshirë luftën me Iranin dhe dëbimet e emigrantëve, në një kohë kur sondazhet tregonin rënie të popullaritetit të presidentit dhe ndikimin e saj te kandidatët republikanë.
Ky ndryshim ishte i qëllimshëm. Sipas dy personave të njohur me strategjinë, Vance dhe këshilltarët e tij vlerësuan se temat ku ai kishte ndërtuar profilin e tij, si nacionalizmi ekonomik, përmbajtja në politikën e jashtme dhe siguria publike, mund të kishin më shumë ndikim te votuesit. Edhe pse këto qëndrime janë pjesë e lëvizjes MAGA të Trump, Vance është shndërruar në një nga mbështetësit kryesorë të tyre.
Kjo lëvizje shihet si një tregues i parë se si 42-vjeçari mund të nisë të ndërtojë rrugën e tij politike, ndërsa republikanët fillojnë të mendojnë për periudhën pas Trump. Vance nuk ka deklaruar nëse do të kandidojë për president në vitin 2028 dhe Trump nuk ka mbështetur ende asnjë kandidat. Megjithatë, ai konsiderohet një nga emrat më të mundshëm për garën e ardhshme presidenciale.
Një hap më të dukshëm drejt forcimit të profilit të tij politik, Vance e bëri të mërkurën, kur publikoi një reagim të drejtpërdrejtë për humbjen e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit. Ai fajësoi luftën me Iranin për rezultatin e dobët dhe paraqiti disa propozime për rikthimin e partisë, duke kërkuar përfundimin sa më të shpejtë të konfliktit, përqendrimin te kostoja e jetesës, rishikimin e marrëdhënieve me vendet e tjera dhe ndryshimin e marrëdhënies së SHBA-së me Izraelin.
Qëndrimet e tij bien në kontrast me ato të Trump. Presidenti i ka cilësuar shqetësimet e amerikanëve për rritjen e kostos së jetesës si një “mashtrim” të demokratëve, ndërsa vendosi të nisë luftën kundër Iranit pas presionit të vazhdueshëm nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Trump ka shprehur gjithashtu mbështetjen për Netanyahun në zgjedhjet në Izrael.
Në reagimin e tij, Vance mbajti për herë të parë publikisht qëndrimin se lufta duhet të përfundojë. Megjithatë, tre persona të njohur me komunikimet mes Shtëpisë së Bardhë dhe zëvendëspresidentit i thanë Reuters se kjo nuk përbënte një shkëputje nga Trump. Sipas tyre, shefja e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, ishte në dijeni të postimit të Vance përpara publikimit të tij.
Të premten, Trump bëri ndryshime në drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, duke zëvendësuar Wiles me Stephen Miller, një lëvizje që sinjalizon synimin për të vijuar me disa prej politikave më të ashpra të presidentit. Trump ka pranuar se lufta me Iranin ndikoi në humbjen e republikanëve, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve, por ka vijuar ta mbrojë vendimin për nisjen e saj. “Nuk do të kisha bërë asgjë ndryshe”, deklaroi ai të mërkurën
Ndërkohë, djali i madh i presidentit, Donald Trump Jr., si dhe disa aleatë konservatorë, mbështetën publikisht qëndrimet e Vance. Sipas strategut republikan Michael Ricci, reagimi i zëvendëspresidentit e detyroi kampin konservator të debatonte jo vetëm për luftën, por edhe për drejtimin që duhet të marrë Partia Republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Ricci vlerësoi se Vance po përdor ndikimin dhe platformën që i jep posti i zëvendëspresidentit për të përcaktuar temat kryesore të debatit politik, dhe jo thjesht për t’u distancuar nga Trump.
Megjithatë, për Vance nuk do të jetë e lehtë të ndërtojë një profil të pavarur. Demokratët pritet ta lidhin atë dhe çdo kandidat tjetër republikan me politikat e Trump në garën e vitit 2028. Sipas strategut demokrat Igor Volsky, sfida do të jetë të fitojë mbështetjen e bazës republikane, e cila vazhdon të jetë besnike ndaj Trump, pa humbur mundësinë për të fituar votuesit në zgjedhjet e përgjithshme.
Humbja e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit ka dëmtuar gjithashtu imazhin politik të Vance. Kandidatët që ai mbështeti humbën në disa shtete, ndërsa disa prej strategjive të tij, përfshirë një reklamë të kandidatit për guvernator në Ohio, Vivek Ramaswamy, u kritikuan dhe mund të kenë ndikuar negativisht në rezultat.
Edhe emra të tjerë të mundshëm për garën presidenciale të vitit 2028 kanë dhënë vlerësimet e tyre për humbjen. Senatori republikan Ted Cruz tha se partia nuk kishte bërë mjaftueshëm për çështjen e kostos së jetesës. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, kritikoi përqendrimin e kandidatëve te çështjet transgjinore, duke thënë se kishin lënë pas dore shqetësimet e votuesve për qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale. Ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nuk ka komentuar ende rezultatin.
Gjatë ditëve të fundit të fushatës, Vance u përpoq t’i bindte votuesit të mbështesnin republikanët duke u fokusuar te hetimet për mashtrimet në programet federale të shëndetësisë dhe ndihmës sociale, si dhe te emigracioni dhe kostoja e jetesës. Në fjalimet e tij ai përmendi shumë pak Trumpin dhe pothuajse aspak luftën me Iranin apo rritjen e çmimeve të karburanteve.
“Dua që fëmijët e mi të krijojnë familje në një vend të gjallë, të lulëzuar, të lirë dhe të begatë. Dua gjërat e thjeshta. Dhe, meqë i dua këto gjëra për veten time, i dua edhe për ju”, tha Vance në një prej tubimeve të tij të fundit në Karolinën e Veriut./et
