Venezuela nuk është i vetmi shtet në Amerikën Latine i konsideruar si kërcënim për SHBA-në. Presidenti amerikan Donald Trump përcolli një paralajmërim të fortë për Kolumbinë, që, siç tha, qeveriset nga një njeri i sëmurë. “Por nuk do ta bëjë edhe për shumë kohë”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, teksa e cilësoi operacionin në Kolumbi si një ide të mirë.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro paralajmëroi kundër kërcënimeve të paligjshme të Trump, siç i quajti ai. Po ashtu, presidenti amerikan theksoi se duhej bërë diçka edhe për Meksikën. “Vendi duhet të lëvizë për të luftuar narkotrafikun”, tha gjatë prononcimit në avionin e tij presidencial, teksa rikthehej nga Florida.
Ai pohoi se ishte ofruar vazhdimisht të dërgonte trupa amerikane në Meksikë, por se presidentja e vendit ishte e shqetësuar nga një lëvizje e tillë. Trump nuk kurseu as Kubën, por në këtë rast duke shprehur bindjen se regjimi ishte në prag kolapsi dhe se ndërhyrja ushtarake amerikane nuk do të ishte e nevojshme./kb
