Prej pesë ditësh, në pikat kufitare të juglindjes së vendit vihet re një fluks i shtuar hyrjesh të emigrantëve shqiptarë që kthehen nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut për të festuar Pashkën pranë familjeve të tyre.
Sipas të dhënave zyrtare, në P.K.K. Kapshticë janë regjistruar 24,628 hyrje dhe 13,604 dalje, me një total prej 38,232 shtetasish që kanë kaluar në këtë pikë kufitare. Ndërkohë, në P.K.K. Qafë-Thanë numërohen 15,006 hyrje dhe 15,013 dalje, duke e çuar totalin në 30,019 shtetas.
Megjithëse fluksi ka qenë i lartë, situata në doganat e juglindjes paraqitet e qetë dhe pa radhë të gjata. Kjo falë shtimit të sporteleve në hyrje, çka ka mundësuar përpunimin më të shpejtë të dokumentacionit dhe shmangien e pritjeve për udhëtarët.
Autoritetet kufitare vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë për të përballuar fluksin që pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa emigrantët kthehen për të kaluar festat pranë të afërmve. /Kb
