Pentagoni ka ndërprerë përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale të kompanisë Anthropic, ka konfirmuar një zyrtar i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes për BBC-në.
“Pentagoni ka ndërprerë përdorimin e produkteve të Anthropic”, tha zyrtari në një deklaratë të hënën.
Vendimi vjen disa muaj pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e cilësoi Anthropic si një rrezik për sigurinë kombëtare dhe për zinxhirin e furnizimit të SHBA-ve. Në shkurt, Hegseth urdhëroi që përdorimi i produkteve të kompanisë nga qeveria amerikane të përfundonte brenda gjashtë muajve.
Megjithatë, persona të njohur me çështjen i thanë BBC-së se deri javën e kaluar modeli i inteligjencës artificiale Claude, i zhvilluar nga Anthropic, vazhdonte të përdorej nga Pentagoni. Ai përdorej për kërkime, analiza, mbledhje informacioni dhe në operacione ushtarake, përfshirë ato kundër Iranit.
Sipas burimeve, Claude ishte bërë një mjet i rëndësishëm për Pentagonin për të përpunuar sasi të mëdha informacioni. Programi ishte integruar edhe në Maven Smart System, një platformë e përdorur nga Pentagoni për organizimin dhe analizimin e të dhënave të inteligjencës. Sistemi operohet nga kompania e teknologjisë së mbrojtjes Palantir.
Përmes Maven, analistët mund të organizojnë të dhëna si imazhe satelitore dhe pamje nga dronët. Më pas, këto të dhëna mund të analizoheshin nga Claude dhe sisteme të tjera të inteligjencës artificiale për të identifikuar, ndër të tjera, objektiva të mundshëm ushtarakë.
Një ish-zyrtare e Departamentit të Mbrojtjes, Lauren Kahn, tha se fakti që Pentagonit iu deshën muaj për ta hequr Claude nga sistemet e tij tregon se këto teknologji nuk mund të zëvendësohen lehtësisht.
“Pasi integrohen në sisteme, heqja e tyre mund të jetë e vështirë”, tha Kahn.
Përplasja mes Pentagonit dhe Anthropic nisi pasi ushtria amerikane i kërkoi kompanisë të hiqte disa kufizime të sigurisë nga Claude dhe t’i jepte ushtrisë akses më të gjerë në teknologjinë e saj.
Anthropic refuzoi, duke shprehur shqetësime se inteligjenca artificiale mund të përdorej për mbikëqyrje masive ose për zhvillimin e armëve autonome. Pas këtij refuzimi, Hegseth e shpalli kompaninë “rrezik për zinxhirin e furnizimit të sigurisë kombëtare”.
Anthropic e ka kundërshtuar vendimin në gjykatë, duke e cilësuar atë si “të paprecedentë dhe të paligjshëm” dhe ka paditur administratën Trump.
Ndërkohë, Pentagoni ka lidhur marrëveshje me kompani të tjera të mëdha të teknologjisë, përfshirë OpenAI, Google dhe xAI. Sipas personave të njohur me përdorimin e inteligjencës artificiale në Departamentin e Mbrojtjes, mjetet e OpenAI janë përdorur gjithnjë e më shumë nga disa struktura ushtarake amerikane gjatë muajve të fundit.
Anthropic kishte filluar të përdorej nga qeveria dhe ushtria amerikane që në vitin 2024 dhe ishte kompania e parë e madhe e inteligjencës artificiale që vendosi teknologjinë e saj në agjenci qeveritare që punonin me informacione të klasifikuara.
Ndërsa konflikti me Pentagonin vazhdon në gjykata, marrëdhëniet e Anthropic me Shtëpinë e Bardhë duket se janë përmirësuar. Presidenti Donald Trump u takua dy herë me drejtuesin e kompanisë, Dario Amodei, në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.
Pas një prej takimeve, Amodei tha se vazhdonte të kishte shqetësime për rreziqet që mund të sjellë inteligjenca artificiale.
“Si do t’i trajtojmë këto rreziqe është ende në diskutim”, tha ai, duke shtuar se nëse kompania bashkëpunon me presidentin, këto rreziqe mund të menaxhohen në mënyrë të sigurt.
Trump, nga ana e tij, e vlerësoi publikisht Amodein, duke e cilësuar atë si “të shkëlqyer” dhe “fantastik”./mxh
