Pep Guardiola ka vendosur të flasë hapur për një prej kapitujve më të vështirë të jetës së tij private, ndarjen nga Cristina Serra, pas gati tri dekadash së bashku.
Rrëfimi i trajnerit të Manchester Cityt vjen në dokumentarin e ri të Prime Video, “A Beautiful Obsession”, i cili ndjek jetën e tij dhe periudhën e fundit në drejtimin e klubit anglez.
Një prej momenteve më personale të dokumentarit është regjistruar në dhomën e zhveshjes pas humbjes 2-0 ndaj Juventusit në Torino, në dhjetor 2024. Guardiola u ka folur lojtarëve për divorcin, duke ndarë me ta një pjesë shumë intime të jetës së tij.
“Dua t’ju rrëfej diçka. Jam divorcuar nga gruaja më e bukur në planet. Është gruaja ime, ish-gruaja ime”, u ka thënë ai, sipas The Times.
Trajneri spanjoll ka bërë të qartë se ndarja nuk nënkupton se ndjenjat e tij për Cristinën janë zhdukur. Përkundrazi, ai ka pranuar se dashuria vazhdon të jetë e pranishme, por marrëdhënia kishte humbur një element të rëndësishëm.
“E dua jashtëzakonisht shumë. Por e humbëm pasionin”, ka rrëfyer Guardiola. “Për shumë arsye, e humbëm pasionin. E dua absolutisht.”
Në një moment tjetër, Guardiola e ka përdorur përvojën personale për t’u dhënë lojtarëve një mesazh rreth motivimit dhe pasionit. Sipas tij, talenti dhe aftësitë nuk janë gjithçka, pasi pas tyre duhet të ekzistojë një arsye më e fortë për të vazhduar.
“Është njësoj si mënyra se si luan futboll. Ti luan për diçka që ke brenda vetes. Por ku është pasioni?”, i ka pyetur ai futbollistët.
Guardiola dhe Cristina Serra kanë qenë së bashku për rreth 30 vite dhe kanë tre fëmijë. Ndarja e tyre u bë publike në janar 2025, ndërsa dokumentari sjell për herë të parë një perspektivë më personale nga vetë trajneri.
Rrëfimi vjen në një periudhë të rëndësishme për Guardiolën, i cili po përjetonte njëkohësisht vështirësi në jetën private dhe një periudhë jo të lehtë sportive me Manchester Cityn./mxh
