Last Updated on 02/10/2026 by EL
Shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, Lusjan Zeqaj, drejtuesit e tjerë të institucionit dhe inspektorët e thjeshtë, i janë bashkuar këtë të premte nismës për dhurimin e gjakut, për personat që përballen me sfida shëndetësore.
“Për jetën, në çdo mision”, është motoja e tyre dhe nismës i është bashkuar i pari vetë drejtuesi i Komisariatit të Policisë Rrugore, Komisar Lusjan Zeqaj, dhe më pas në shenjë solidariteti të gjithë punonjësit e tjerë, ata të shërbimit, të komisioneve dhe inspektorët e thjeshtë.
Përmes këtij akti humanizmi dhe solidariteti, punonjësit e Policisë së Tiranës kanë dhënë kontributin e tyre për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve të njerëzve që përballen me sfida shëndetësore.
Drejtuesit dhe punonjësit e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, kanë treguar se përkushtimi i punonjësve të Policisë ndaj komunitetit shprehet jo vetëm në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, por edhe përmes mbështetjes së nismave humanitare.
Nisma sensibilizuese organizohet nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, si një mënyrë solidare për të dhuruar gjak për të gjithë qytetarët që përballen me sfida shëndetësore dhe kanë nevojë për ndihmë./ET
