Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka njoftuar anulimin e sulmeve kundër Iranit.
Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan shkroi se kishte vendosur të anulonte sulmin, me kusht që të ishte në gjendje të arrinte shpejt një marrëveshje, e cila do të përfshinte hapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit dhe fundin e kërcënimit bërthamor të Iranit.
Ai bëri me dije se vendimi ishte marrë së bashku me Izraelin. Njoftimi erdhi mes raportimeve të medias amerikane se Uashingtoni mund të ketë planifikuar sulme të reja dhe intensive ndaj Iranit gjatë fundjavës.
Në postim, Trump tha se SHBA-të ishin të armatosura dhe të gatshme për t’u përballur me Republikën Islamike të Iranit. Por ai tha se i kishte anuluar sulmet pasi iu kërkua nga Irani dhe vendet e tjera në Lindjen e Mesme që të ndalonte çdo sulm për të lejuar arritjen e një marrëveshjeje.
“SHBA-të janë të përgatitura dhe të gatshme të luftojnë kundër Republikës Islamike të Iranit, në nivele të Terrorit, Forcës dhe Pushtetit Ushtarak që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Pavarësisht kësaj, Irani dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme sapo na kanë kërkuar të ndalojmë çdo sulm për të cilin është rënë dakord brenda kufijve të një marrëveshjeje. Kjo do të përfshinte HAPJEN E MENJËHERSHME, TË PLOTE TË NGUSHTICËS SË HORMUZIT dhe fundin e kërcënimit bërthamor të Iranit. Bazuar në këtë kërkesë, unë kam rënë dakord, për të mirën e ardhshme të BOTËS dhe, gjithashtu, për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë, të anuloj sulmin, me kusht që të jetë në gjendje të arrihet shpejt një MARRËVESHJE. Vendi i Izraelit më bashkohet në këtë angazhim. Filloni punën të gjithë dhe përfundojeni”, thuhet në postimin e Trump.
Irani ende nuk i është përgjigjur njoftimit të presidentit amerikan. Qeveria e SHBA-së u kishte kërkuar më parë amerikanëve në të gjithë Lindjen e Mesme të ishin vigjilentë dhe të gatshëm të largoheshin nëse do të ketë përshkallëzim në rajon. SHBA-ja dhe Izraeli po planifikonin atë që do të ishte një nga fushatat më të ashpra bombarduese deri më sot kundër objektivave të infrastrukturës energjetike në Iran, thane burime për mediat amerikane.
Më herët këtë javë, SHBA-të thanë se kishin përfunduar një valë masive sulmesh kundër Iranit në hakmarrje për një sulm të tentuar me raketa balistike ndaj forcave amerikane në rajon.
SHBA-të kanë bllokuar portet iraniane dhe kanë bombarduar vendet iraniane, ndërsa Irani ka qëlluar me raketa dhe dronë drejt aseteve amerikane në vendet e Lindjes së Mesme dhe ka synuar anijet në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetësore për transportin global të naftës. SHBA-të dhe Izraeli filluan sulmet e tyre kundër Iranit më 28 shkurt, me shpërthimin e luftës që çoi në luhatje të konsiderueshme në çmimet e naftës. /kb
