Partitë politike në Hungari zhvilluan tubime të mëdha këtë të diel në Budapest, në përpjekje për të mobilizuar mbështetësit përpara zgjedhjeve të prillit, në një garë që pritet të jetë ndër më të fortat për kryeministrin Viktor Orban.
Sipas organizatorëve, rreth 180 mijë mbështetës të qeverisë morën pjesë në një të ashtuquajtur “marshim për paqen”, i cili kaloi mbi lumin Danub në kryeqytetin hungarez. Ndërkohë, rreth 150 mijë përkrahës të opozitës u mblodhën në sheshin “Heronjtë” në Budapest në një tubim të udhëhequr nga lideri i opozitës, Peter Magyar. Shifrat e pjesëmarrjes nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Kryeministri Viktor Orban përballet me një nga sfidat më të vështira për rizgjedhje, pas tre vitesh stagnimi ekonomik dhe rritjeje të kostos së jetesës. Përballë tij është rivali pro-evropian Peter Magyar, i cili nga shumë analistë shihet si një alternativë serioze për drejtimin e vendit.
Si partia në pushtet Fidesz, ashtu edhe partia opozitare Tisza, e drejtuar nga Magyar, shfrytëzuan festën kombëtare të 15 marsit për të demonstruar forcën e tyre politike, në një moment kyç të fushatës zgjedhore. Sipas shumicës së sondazheve, partia Tisza kryeson aktualisht në preferencat e votuesve.
Në fjalimin e tij, Orban e paraqiti zgjedhjen si një vendim mes “luftës dhe paqes”, duke akuzuar kundërshtarët se do ta përfshinin Hungarinë në luftën në Ukrainë. Opozita i ka mohuar këto akuza.
Prej kohësh, Orban është përplasur me Bashkimin Evropian për një sërë çështjesh, përfshirë qëndrimin ndaj Ukrainës. Ai ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Moskën, ka refuzuar dërgimin e armëve për Ukrainën dhe është shprehur kundër anëtarësimit të Kievit në Bashkimin Evropian.
Ndërsa disa sondazhe tregojnë epërsi të opozitës, partia Fidesz thotë se studime të tjera e nxjerrin atë në rrugën drejt fitores, edhe pse kundërshtarët pretendojnë se këto sondazhe janë realizuar nga institute të afërta me qeverinë.
Zgjedhjet e ardhshme në Hungari pritet të jenë vendimtare për drejtimin politik të vendit dhe për marrëdhëniet e tij me Bashkimin Evropian./mxh
