Rreth 43 mijë persona në Nepal, ose afërsisht 10 mijë familje, kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që kanë goditur vendin.
Të dhënat janë bërë publike nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i Kombeve të Bashkuara, duke iu referuar autoriteteve nepaleze të menaxhimit të fatkeqësive.
Sipas vlerësimeve të qeverisë, më shumë se 84 mijë persona janë prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. Mijëra njerëz janë zhvendosur, ndërsa shumë banesa janë dëmtuar ose shkatërruar.
WFP ka paralajmëruar se situata ka ndërprerë shërbimet bazë dhe ka dëmtuar mjetet e jetesës së komuniteteve. Një pjesë e të prekurve ndodhen në zona të vështira për t’u arritur, ndaj organizata ka dërguar ekipe logjistike për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmave.
Përmbytjet rrezikojnë gjithashtu të përkeqësojnë problemet e kequshqyerjes në vend. Sipas WFP, edhe para katastrofës, një në katër fëmijë në Nepal ishte i prekur nga vonesa në zhvillim.
Ndërkohë, operacionet e shpëtimit dhe ndihmës vijojnë në zonat e prekura./ad
