Dy avionë pasagjerësh dhe mallrash u përplasën të shtunën në mbrëmje në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit në Florida të SHBA-së. Si pasojë e incidentit, dy persona mbetën të plagosur lehtë, ndërsa nuk pati ndikim në funksionimin normal të aeroportit.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), një avion Boeing 737 i kompanisë Copa Airlines goditi pjesën e përparme të një Boeing 767 të kompanisë UPS, ndërsa të dy mjetet fluturuese po lëviznin në pistat e taksimit.
FAA bëri të ditur se kontrollorët e trafikut ajror i kishin kërkuar ekuipazhit të avionit të UPS-it t’i jepte përparësi fluturimit të Copa Airlines. Në momentin e përplasjes, avioni i kompanisë Copa po drejtohej drejt portës së terminalit, pasi kishte mbërritur nga Panama City, ndërsa avioni i UPS-it po përgatitej për nisje drejt Bogotas në Kolumbi.
Dy personat e plagosur morën ndihmën e parë në vendngjarje nga Shërbimi i Shpëtimit dhe Zjarrfikësve të Miami-Dade. Sipas autoriteteve, ata kishin pësuar lëndime të lehta dhe nuk ishte e nevojshme të transportoheshin në spital.
Nga ana e saj, Copa Airlines konfirmoi përfshirjen e një prej avionëve të saj në incident. Kompania bëri të ditur se në bordin e Boeing 737-800NG ndodheshin 166 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.
Sipas informacioneve paraprake të kompanisë, përplasja ndodhi mes avionit të mallrave dhe pjesës së majtë të avionit të Copa Airlines, ndërsa të dy po lëviznin në pistat e taksimit. Kompania shprehu keqardhje për shqetësimin e shkaktuar, duke theksuar se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet përparësia kryesore./AD
