Last Updated on 29/09/2026 by EL
Nxënësit e shkollave të mesme në Francë kanë vijuar protestat dhe bllokimet e institucioneve arsimore, ndërsa në disa qytete demonstratat kanë degjeneruar në përplasje me policinë. Në Paris dhe qytete të tjera priten tubime të mëdha, ndërsa mësuesit dhe shërbimet zjarrfikëse kanë paralajmëruar grevë në rang kombëtar.
Protestat nisën javën e kaluar në rajonin Ile-de-France, përreth Parisit, dhe tashmë janë përhapur në qytete të tjera. Nxënësit kundërshtojnë oraret e ngarkuara, klasat e mbipopulluara, mungesën e mësuesve dhe kushtet e papërshtatshme në ambiente, përfshirë temperaturat e larta në klasa pas valëve të fundit të të nxehtit.
Në Lille, në veri të Francës, nxënës të maskuar u mblodhën përpara liceut Cesar Baggio dhe u vunë flakën koshave të mbeturinave. Strehëzat e autobusëve dhe tabelat reklamuese u dëmtuan, ndërsa protestuesit hodhën shishe, gurë dhe sende të tjera drejt policisë, e cila përdori gaz lotsjellës.
Në Nantes, dhjetëra kosha mbeturinash u grumbulluan për të bllokuar hyrjen e liceut Gabriel Guist’hau. Në Paris, rreth 30 nxënës u përballën me një grup policësh pranë shkollës Arago. Veprime të ngjashme u raportuan edhe në Marseille, Bordeaux dhe Lyon.
Në liceun Lamartine në Paris, rreth 80 nxënës protestuan me pankarta ku shkruhej: “Më shumë orë mësimi se gjumë” dhe “Nga ora 8:00 deri në 18:00, jemi nxënës apo të arrestuar?”. Ndërkohë, në liceun Brequigny në Rennes, rreth 100 nxënës hodhën objekte drejt ndërtesës së shkollës.
Protestat e nxënësve përkojnë me një ditë demonstratash dhe grevash të organizuara nga sindikatat kundër projektbuxhetit të qeverisë së kryeministrit Sébastien Lecornu. Dhjetëra mijëra persona pritet të marrin pjesë në tubime në Paris dhe qytete të tjera, ndërsa transporti publik pritet të preket më pak nga greva.
“Zemërimi është i jashtëzakonshëm”, deklaroi drejtuesja e sindikatës CGT, Sophie Binet, duke i kërkuar qeverisë të rishikojë projektbuxhetin, të cilin ajo e konsideroi të rrezikshëm për vendin.
Një nxënëse 17-vjeçare nga liceu Lamartine tha se protestuesit janë të shqetësuar për mungesën e burimeve, temperaturat e larta në klasa dhe oraret e mbingarkuara. Ajo shtoi se nxënësit duan të mbështesin edhe mësuesit, të cilët sipas saj kanë një ngarkesë shumë të madhe pune.
Kryeministri Lecornu e cilësoi të hënën çdo përshkallëzim të protestave në shkolla si “të papërgjegjshëm” dhe kritikoi partinë e majtë radikale France Unbowed, duke e akuzuar për nxitjen e protestave. Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez bëri të ditur se të hënën u arrestuan 164 persona dhe se protestat prekën 180 shkolla, duke paralajmëruar se autoritetet “nuk mund të tolerojnë teprime”.
Në Seine-Saint-Denis, një zonë me të ardhura të ulëta në periferi të Parisit, kryebashkiaku i lidhur me France Unbowed, Bally Bagayoko, iu bashkua protestës së qindra nxënësve përpara liceut Paul-Eluard. Ai i cilësoi protestat si “plotësisht legjitime” dhe argumentoi se zonat me të ardhura më të ulëta marrin më pak burime në krahasim me zonat më të pasura.
