Last Updated on 15/11/2025 by EL
Ekspertët zbulojnë se çfarë prish më së shumti harmoninë dhe si ta riktheni lehtësisht ekuilibrin në dhomën tuaj të ditës
Dhoma e ditës është zakonisht zemra e shtëpisë, vend relaksi, mbledhjeje dhe pushimi. Por pikërisht për këtë arsye ajo shpesh shndërrohet në një depo të improvizuar për gjërat që s’dimë ku t’i vendosim. Nga postat dhe paketat te këpucët e kabllot teknike, sendet e vogla grumbullohen pa u vënë re dhe krijojnë ndjenjën e rrëmujës.
Ekspertët e organizimit të hapësirës, të cilët dhanë këshilla për portalin The Spruce, theksojnë se sa më pak gjëra të panevojshme të kemi përreth, aq më shumë qetësi e rehati sjell hapësira. Ata tregojnë cilat sende nuk duhen lënë kurrë në dhomën e ditës dhe si mund të rikthehet lehtë ndjesia e harmonisë dhe rendit.\
Një dhomë e pastër nuk do të thotë hapësirë bosh, por vend ku çdo gjë ka qëllimin e vet. Mos e mbingarkoni, lëreni të marrë frymë. Minimalizmi nuk është modë, por mënyrë për t’u kthyer tek ajo që ka vërtet rëndësi: koha, paqja dhe jeta pa shpërqendrime të panevojshme
1. Rrëmujë mbi tavolinë
Filxhanë, telekomanda, libra të shpërndarë apo suvenire udhëtimesh, të gjitha këto prishin ndjenjën e qetësisë dhe elegancës. Ekspertja Mari Poter këshillon ta ktheni tavolinën në një kënd të vogël, të kuruar me kujdes: “Lini vetëm sendet që ju gëzojnë, si p.sh. një difuzer, qiri ose një bimë të vogël. Gjithçka tjetër mbajeni të sistemuar.” Zgjidhni një tavolinë me sirtar ose raft të poshtëm, sipërfaqja do të mbetet e pastër, ndërsa çdo gjë që ju nevojitet do të jetë pranë jush, por e fshehur nga sytë.
2. Enë të pista
Nëse ju pëlqen të shikoni seriale duke ngrënë darkë, ndodh shpesh që pjatat e gotat të mbeten në tavolinë deri të nesërmen. “Enët e pista në dhomën e ditës japin përshtypjen e rrëmujës dhe mund të tërheqin edhe insekte,” paralajmëron organizatorja Barbara Brok. Vendosni një tavolinë ndihmëse ose tabaka që mund ta çoni në kuzhinë menjëherë pas ngrënies.
3. Gjëra “kalimtare”: posta, këpucët dhe xhaketat
Dhoma e ditës shpesh bëhet vend grumbullimi për postën, çantat, paketat apo sendet për dhurim. Por, siç thekson Poter, “përkohësia shndërrohet shpejt në të përhershme”. Çdo kategori duhet të ketë vendin e vet: posta në raftin e murit në korridor, paketat pranë hyrjes, këpucët dhe xhaketat në dollap ose në varëse. Vendosni rregullin e “një minute”: çdo gjë që mund ta rregulloni brenda një minute, bëjeni menjëherë. Posta, çelësat, xhaketa, gjithçka vendoset në çast, dhe hapësira mbetet e pastër.
4. Pajisjet teknologjike dhe argëtimi
Nga konzolat e lojërave e deri te kabllot dhe telekomandat, dhoma e ditës shpesh është e mbushur me pajisje. “Teprica e teknologjisë krijon kaos vizual,” shpjegon Poter. Zgjidhja? Organizim i zgjuar: shporta të endura, kuti dekorative, dollapë me dyer ose tabure me hapësirë për ruajtje. Një herë në muaj bëni një “kontroll teknik”, kontrolloni kabllot dhe pajisjet që s’i përdorni më, dhe dhuroni ose ricikloni ato që s’ju duhen. Më pak pajisje, më pak stres vizual.
5. Rrobat e palara ose të papalosura
Shumë njerëz palosin rrobat duke parë TV, por shpesh i lënë në mes të dhomës. “Sa më gjatë të lini diçka të papërfunduar, aq më e vështirë bëhet ta përfundoni,” thotë Brok. Nëse nuk jeni gati t’i palosni menjëherë, zhvendosini në një dhomë tjetër. Krijoni një “kënd palosjeje” pranë vendit ku lani rrobat, me shporta dhe ndriçim të ngrohtë. Kështu puna bëhet më e lehtë, dhe dhoma e ditës mbetet hapësirë relaksi, jo detyrash. /e.t


