Last Updated on 18/10/2026 by EL
Një breshkë deti e llojit Kareta-Kareta ka rënë në rrjetat e peshkatarëve në Vlorë. Ajo mban një matrikull identifikimi, i cili mund të ndihmojë specialistët të zbulojnë se nga ka ardhur dhe çfarë itinerari ka ndjekur.
Pas konstatimit të matrikullit, janë njoftuar specialistët e zonave të mbrojtura, të cilët janë angazhuar për identifikimin e breshkës dhe verifikimin e të dhënave të saj.
Përmes këtij procesi synohet të gjurmohet rruga që ka përshkuar breshka deri në momentin kur ka rënë në rrjetat e peshkatarëve në ujërat e Vlorës.
Breshkat Kareta-Kareta janë një specie detare që gjendet edhe në Detin Mesdhe, veçanërisht në Adriatik dhe Jon.. Ato njihen për udhëtimet e gjata që bëjnë në det, shpesh duke përshkuar qindra apo mijëra kilometra mes zonave ku ushqehen dhe plazheve ku vendosin vezët.
Këto breshka dallohen për kokën e madhe dhe nofullat e fuqishme, ndërsa ushqehen kryesisht me molusqe dhe krustace./ET
