Last Updated on 11/11/2026 by Monika
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara po përfitojnë të ardhura të konsiderueshme nga burimet natyrore të Venezuelës, duke pretenduar se fitimet nga nafta mund të arrijnë së shpejti në qindra miliarda dollarë.
Gjatë ceremonisë kombëtare për Ditën e Veteranëve 2026, Trump u shpreh se SHBA-të ka rikuperuar disa herë koston e operacionit të saj në Venezuelë, falë të ardhurave nga nafta dhe burimet e tjera të vendit.
“Po nxjerrim miliarda e miliarda dollarë nga nafta dhe burimet e tjera të Venezuelës. Shumë shpejt, kjo shumë do të arrijë në qindra miliarda dollarë. Askush nuk ka parë diçka të tillë dhe ne tashmë e kemi rikuperuar shumëfish koston e luftës”, deklaroi ai.
Trump përdori gjithashtu shprehjen se “plaçka i takon fitimtarit”, duke lënë të kuptohet se administrata e tij synon të përfitojë nga burimet e vendit pas operacionit amerikan.
“Thuhej se plaçka i takon fitimtarit, por mund ta thuash përsëri këtë me ne, nën këtë udhëheqje”, shtoi ai.
Ai pretendoi se çdo javë po nxirren miliona fuçi naftë nga Venezuela, duke gjeneruar të ardhura prej miliarda dollarësh.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë foli edhe për praninë e Kinës dhe Rusisë në Venezuelë, duke pretenduar se të dyja vendet janë larguar pas kërkesës së Uashingtonit.
“U thamë se duhej të largoheshin. Ata u larguan, por ne nuk u larguam”, u shpreh Trump.
Gjatë fjalës së tij, presidenti amerikan iu drejtua edhe veteranëve, duke theksuar se angazhimi i vendit ndaj atyre që shërbejnë në ushtri vazhdon edhe pasi përfundon një konflikt.
Trump foli gjithashtu për Iranin, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë arritur të pengojnë Teheranin të sigurojë armë bërthamore./mxh