Last Updated on 17/03/2026 by Anisa
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të shpallë vendet që do të ndihmojnë në koalicionin për hapjen e Ngushticës se Hormuzit.
Më herët ai ka vlerësuar mbështetjen e Francës, pas një komunikimi që pati me presidentin francez Emmanuel Macron, gjithashtu ai u shpreh se edhe pse SHBA nuk ka nevojë për ndihmë pasi është kombi më i fuqishëm në botë, la të kuptonte se nuk kishte pritshmëri nga vendet që SHBA i ka ndihmuar prej vitesh.
“Aleatët duhet të na ndihmojnë në Ngushticën e Hormuzit e ajo që më habit është se ata nuk tregojnë më shumë gatishmëri për ta bërë këtë”, tha Trump. Megjithatë, ai theksoi se “ka disa vende që na kanë mbështetur shumë, do të shpall disa emra së shpejti”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha më herët se ndërthurja në Hormuz do të thoshte një hap drejt përfshirjes në luftë.
“Ndërhyrja në Hormuz do të thoshte një hap drejt përfshirjes në luftë. Ajo që mund të bëjmë tani është të forcojmë misionin ‘Shields’ , kështu që po flasim për Detin e Kuq”, tha Meloni.
Edhe Kancelari gjerman Friedrich Merz tha sot se Gjermania nuk do të marrë pjesë në luftën SHBA-Izrael kudër Iranit.
“Na mungon mandati nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian ose NATO-ja i kërkuar sipas Ligjit Themelor. Prandaj, që në fillim ishte e qartë se kjo luftë nuk është çështje e NATO-s”, tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin.
Merz shtoi gjithashtu se kur nisi luftën kundër Iranit, SHBA dhe Izraeli nuk u konsultuan, tani nuk ka pse Gjermania të përfshihet ushtarakisht.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Kryeministri britanik i cili theksoi se çdo ndërhyrje duhet të ketë një bazë të qartë ligjore dhe një plan të qartë operativ. Starmer tha se misioni nuk është i NATO-s, duke iu referuar komenteve të presidentit amerikan se do të ishte problem nëse vendet e NATO-s nuk do të përfshiheshin.
Gjatë një takimi të mbajtur sot ministrat e jashtëm nga 27 vendet e BE-së ku u mblodhën në Bruksel dolën në përfundimin se Evropa nuk ka interes të përfshihet në luftë.
“Evropa nuk ka interes në një luftë pa fund”, kjo nuk është lufta e Evropës, por interesat e Evropës janë drejtpërdrejt në rrezik,” tha të hënën në mbrëmje pas takimit diplomatja e lartë e BE-së, Kaja Kallas.
