Politikani francez i së djathtës ekstreme, Eric Zemmour, ka konfirmuar se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, duke i dhënë fund spekulimeve se mund t’i hapte rrugë partneres së tij, eurodeputetes Sarah Knafo.
Kreu i partisë së djathtë ekstreme Reconquête, i cili në të kaluarën ka mbështetur dëbimin masiv të emigrantëve, shkurtimin e shpenzimeve shtetërore dhe ndalimin e shamisë së kokës për gratë myslimane në hapësirat publike, deklaroi për BFMTV: “Jam kandidat për president të Republikës.”.
Popullariteti i tij në Francë arriti kulmin në fillimet e fushatës së tij të parë presidenciale, në vitin 2022. Deklaratat e tij kundër emigracionit dhe promovimi i teorisë konspirative të “zëvendësimit të madh”, sipas së cilës emigrantët po lejohen të hyjnë në vendet perëndimore, përfshirë Francën, për të ndryshuar përbërjen e popullsisë së bardhë, e bënë atë të njohur ndërkombëtarisht. Në atë periudhë, Zemmour u konsiderua gjithashtu si një sfidë për Marine Le Pen, prej kohësh një nga figurat kryesore të së djathtës ekstreme franceze.
Megjithatë, fushata e tij humbi gradualisht mbështetjen dhe në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ai mori rreth 7% të votave. Ndërkohë, partnerja e tij, Sarah Knafo, ka qenë në qendër të spekulimeve për një kandidim të mundshëm presidencial. Edhe pse tentativa e saj për t’u zgjedhur kryetare e bashkisë së Parisit në mars nuk rezultoi e suksesshme, profili i saj politik është rritur. Në fillim të këtij muaji, Knafo publikoi një libër ku akuzon shtetin për keqmenaxhim të financave publike. Libri u rendit menjëherë ndër më të shiturit në Francë./mxh
