Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi të martën (18 nëntor) se Polonia ka identifikuar dy persona përgjegjës për shpërthimin në linjën hekurudhore Varshavë–Lublin, e cila lidh kryeqytetin polak me kufirin ukrainas. Sipas Tusk, autorët janë dy shtetas ukrainas që kanë bashkëpunuar me inteligjencën ruse dhe që tashmë kanë ikur drejt Bjellorusisë.
Shpërthimi vjen pas një vale zjarrvëniesh, sabotimesh dhe sulmesh kibernetike në Poloni dhe vende të tjera europiane që prej fillimit të luftës në Ukrainë.
Tusk tha para ligjvënësve se të dyshuarit kishin hyrë nga Bjellorusia pak para sulmeve dhe ishin larguar sërish përtej kufirit para se autoritetet të arrinin t’i identifikonin.
Kryeministri përshkroi dy incidente të ndara:
-
Në njërin rast, ishte bërë përpjekje të dilte nga shinat një tren duke vendosur një pajisje në shina, ndërsa incidenti regjistrohej me telefon celular. Sipas Tusk, tentativa dështoi plotësisht.
-
Në rastin tjetër, në qytetin Mika, ishte përdorur eksploziv ushtarak C-4 për të dëmtuar shinat ndërsa kalonte një tren mallrash. Dëmi në tren ishte minimal dhe nuk pati dalje nga shinat.
Tusk theksoi se sulmet mund të kishin shkaktuar një “katastrofë serioze” po të mos ishte për gabimet e autorëve.
Si përgjigje, Polonia do të rrisë nivelin e kërcënimit në disa linja hekurudhore dhe do të përdorë ushtrinë për të mbrojtur infrastrukturën kritike.
Varshava thotë se Polonia është kthyer në një nga objektivat kryesorë të Moskës për shkak të rolit të saj si nyje kryesore për mbështetjen ndaj Kievit, ndërsa Rusia ka mohuar vazhdimisht lidhjen me aktet e sabotimit.
Më herët të martën, një zëdhënës i ministrit të shërbimeve speciale të Polonisë tha se gjithçka tregon se shërbimet ruse të inteligjencës kanë porositur sabotimet në hekurudhat polake./MXH
