Procesi për përzgjedhjen e kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës po shoqërohet me pikëpyetje mbi emrat që do të garojnë dhe mënyrën se si do të arrihet një kandidaturë e përbashkët mes forcave opozitare.
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, komentoi në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus emrat që kanë dalë deri më tani në diskutim, duke u ndalur veçanërisht te kandidatura e aktorit Florian Binaj dhe ajo e mjekut Ilir Alimehmeti.
Këlliçi e cilësoi Binajn një kandidat shumë të mirë, por kritikoi faktin që ai është vetëshpallur si kandidat për Bashkinë e Tiranës, pa pritur më parë një dakordësi mes partive opozitare. Sipas tij, kandidati duhet të dalë nga një proces konsultimi dhe të ketë konsensusin e të gjithë aktorëve që synojnë të garojnë së bashku kundër mazhorancës.
Deputeti demokrat bëri të ditur se deri më 30 nëntor Partia Demokratike do të vijojë procesin e mbledhjes së emrave për të gjitha bashkitë, ndërsa pas kësaj date pritet të ngrihet një tryezë e përbashkët ku do të diskutohen kandidaturat.
Ai la të hapur mundësinë që për Tiranën të ketë edhe emra të tjerë, përtej Alimehmetit dhe Binajt, duke përmendur sipërmarrës apo figura të sportit.
Pjesë nga intervista:
Rakipi: Si e kuptoni ju bashkimin me partitë e tjera opozitare? Një kandidat që e nxirrni të gjithë bashkë, apo nxirrni ju një kandidat dhe e mbështesin të tjerët?
Këlliçi: Deri në datën 30 nëntor kemi një proces ku po marrim emra për çdo bashki. Doktor Alimehmeti është një kandidaturë e mirë për Tiranën, por mund të vijë kandidaturë edhe nga një sipërmarrës, sportist… Deri në datën 30 jemi në këtë proces. Pas datës 30 do të ishte e udhës të gjendej një tryezë ku të ulemi dhe të hedhim të gjitha kandidaturat.
Rakipi: Emrat janë Alimehmeti dhe Florian Binaj. PD-ja mbështet Binajn apo Alimehmetin?
Këlliçi: Binaj është një kandidat shumë i mirë. Por i vetmi gabim që ka bërë Binaj është që është vetëshpallur kandidat. S’mund të thuash: “Unë do të kandidoj”. Hajde, ulu në tavolinë dhe shohim të gjithë kandidatët. Unë po them që është nxituar. Ai është në të drejtën e vet, por është nxituar, sepse duhet të marrësh konsensusin./ad
