Polonia po përgatitet të vendosë 10,000 ushtarë për të mbrojtur infrastrukturën kritike në të gjithë vendin, me qëllim që të “parandalojë aktet e sabotimit dhe të rrisë nivelin e sigurisë për qytetarët polakë”, tha sot Ministri polak i Mbrojtjes Wladyslaw Kosciniak-Kamysz.
Plani vjen në përgjigje të incidenteve të sabotimit në rrjetin hekurudhor fundjavën e kaluar, të cilat Ministri i Jashtëm Radoslaw Sikorski i kishte përshkruar më parë si “terrorizëm shtetëror” nga Rusia. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm paralajmëron përpara Krishtlindjeve.
Armiqtë e vendit mund t’i konsiderojnë netët më të gjata të dimrit dhe periudhën e Krishtlindjeve “kohën më të përshtatshme për një sulm”, paralajmëroi ndërkohë një gjeneral polak. Duke folur në të njëjtën konferencë për shtyp me zëdhënësin e Forcave të Sigurisë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Polake, Wiesław Kukula, paralajmëroi se netët e gjata të dimrit dhe festat e ardhshme të Krishtlindjeve “mund të perceptohen nga armiqtë tanë si momenti më i përshtatshëm për të goditur sigurinë tonë”.
“Nata, e cila ofron mbulim natyror për këtë lloj veprimi, do të jetë shumë e gjatë në javët në vijim. Në pak më shumë se një muaj, fillojnë festat e Krishtlindjeve, një periudhë gjatë së cilës shumica e polakëve do të udhëtojnë, kryesisht me transport publik. Kjo dritare kohore mund të perceptohet nga armiqtë tanë si momenti më i përshtatshëm për të goditur sigurinë tonë”, tha ai.
“Nuk duhet ta lejojmë këtë”, vuri në dukje ai. Ai gjithashtu paralajmëroi se “qëllimet e Rusisë mbeten të pandryshuara dhe ngjarjet e javëve të fundit përshkruajnë një gamë të gjerë incidentesh të mundshme që mund të ndodhin”. Më herët sot, Varshava urdhëroi ngritjen e nxituar të avionëve luftarakë polakë dhe aleatë dhe avionëve AWACS në orët e para të mëngjesit mes sulmeve me raketa dhe dronë rusë në sektorët e Ukrainës perëndimore, pranë kufirit me Poloninë, njoftoi komanda e operacioneve të shtabit të përgjithshëm të shtetit anëtar të NATO-s.
“Çifte avionësh luftarakë me reagim të shpejtë dhe një avion paralajmërues u ngritën me nxitim dhe sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të mbikëqyrjes së hapësirës ajrore u vunë në gatishmëri maksimale”, shpjegoi komanda nëpërmjet X. m.p.
