Parlamenti i Portugalisë ka miratuar një projektligj që ndalon mbulesën e fytyrës për arsye “gjinore ose fetare” në publik.
Masa u propozua nga partia e ekstremit të djathtë Chega dhe do të ndalonte veshjen e mbulesave të tilla si burkat (një veshje që mbulon të gjithë trupin e një gruaje nga koka te këmbët) dhe nikabët (vello islamike që mbulon të gjithë fytyrën me hapësirë rreth syve) në shumicën e vendeve publike. Vellot e fytyrës do të lejohen ende në aeroplanë, ambiente diplomatike dhe vende adhurimi.
Në projektligjin e saj, Chega tha se fshehja e fytyrës i nënshtron gratë “në situata përjashtimi dhe inferioriteti” dhe ishte e papajtueshme me parime të tilla si “liria, barazia dhe dinjiteti njerëzor”.
Projektligji përcakton gjoba për ata që mbajnë velo në publik që variojnë nga 200 euro deri në 4,000 euro (175 dhe 3,475 paund). Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa ende duhet ta miratojë projektligjin. Ai mund ta vërë veton ose ta dërgojë atë në gjykatën kushtetuese për shqyrtim.
Nëse miratohet ligji, Portugalia do t’i bashkohet një numri vendesh evropiane si Austria, Franca, Belgjika dhe Holanda, të cilat kanë ndalime të plota ose të pjesshme për mbulesat e fytyrës dhe të kokës, raporton The Guardian. m.p.
