Kërkesat aktuale të tregut të punës po udhëheqin disi preferencat për degët e studimit në arsimin e lartë, por gjithsesi ka ende shumë degë që kanë fluks me më të lartë se nevojat dhe disa të tjera kanë mangësi.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT mbi regjistrimet në arsimin e lartë për vitin akademik 2024-2025 tregojnë për rritje të përgjithshme të numrit të studentëve, shoqëruar me një zhvendosje të lehtë të interesit drejt fushave të lidhura me tregun e punës dhe ekonominë digjitale në krahasim me vitin akademik paraardhës.
Gjatë këtij viti akademik, numri total i studentëve të ulur në bankat e universiteteve arriti në 122,613, duke shënuar një rritje prej 2,1 për qind ose 2,550 studentë më shumë krahasuar me vitin paraprak 2023-2024.
Ky zgjerim është udhëhequr kryesisht nga programet e biznesit, administrimit dhe ligjit, të cilat mbeten fusha më e populluar në vend. Kjo kategori regjistroi numrin më të lartë të studentëve të rinj, me 1,811 regjistrime shtesë ose një rritje prej 6,3 për qind, duke e çuar numrin total të tyre në mbi 30,500 studentë.
Paralelisht me shkencat ekonomike dhe juridike, një ecuri pozitive ka shënuar edhe sektori i Teknologjisë së informacionit dhe Komunikimit (TIK). i ndikuar nga kërkesa e lartë e tregut vendas dhe ndërkombëtar për ekspertë digjitalë, ky program ka tërhequr 542 studentë më shumë se një vit më parë, duke u rritur me 5,7 për qind dhe duke iu afruar kufirit të 10 mijë studentëve në total.
Rritje të ngjashme në terma përqindjeje kanë pësuar edhe shkencat e natyrës, matematika dhe statistika, ndërkohë që interesi për shkencat e arsimit është zgjeruar me 7,5 për qind, duke dëshmuar një rikthim të vëmendjes drejt profesioneve të mësuesisë me rreth 7,433 studentë të regjistruar.
Ndryshime pozitive ka pasur edhe në fushat e shëndetit dhe mirëqenies, që mbeten shtylla të forta të arsimit të lartë me më shumë se 25,300 studentë, si dhe në shkencat sociale e gazetari me rritje 1.6%.
Nga ana tjetër, statistikat zbulojnë një rënie të theksuar të interesit për degët tradicionale dhe ato prodhuese. Goditjen më të madhe e kanë marrë programet e lidhura me bujqësinë, pyjet, peshkimin dhe veterinarinë, të cilat u tkurrën me 9,1 për qind, duke humbur 273 studentë brenda një viti dhe duke zbritur në vetëm 2,728 studentë në të gjithë vendin.
Një trend rënës ka përfshirë edhe artet e shkencat humane, të cilat regjistruan saktësisht 521 studentë më pak në vitin 2024-2025, që korrespondon me një tkurrje prej 7 për qind. Po ashtu, edhe fusha e inxhinierisë, prodhimit dhe ndërtimit ka pësuar një rënie të lehtë prej 1,1 për qind, duke sinjalizuar nevojën për një analizë më të thellë të orientimit të të rinjve përballë kërkesave që ka sot ekonomia dhe tregu i punës.
Ndërkohë që preferencat e studentëve shpesh anojnë drejt shkencave shoqërore, biznesit dhe juridikut, tregu shqiptar i punës po përballet me mungesa akute e fuqisë punëtore të kualifikuar. Sipas anketave të fundit të Bankës Botërore dhe vëzhgimeve të tregut vendas, mospërputhja mes diplomave që prodhojnë universitetet dhe nevojave reale të bizneseve po frenon rritjen ekonomike.
Psh shëndetësia dhe kujdesi social është ndoshta sektori më kritik për shkak të plakjes progresive të popullsisë dhe emigrimit masiv të bluzave të bardha. Shqipëria ka një nevojë emergjente për mjekë të përgjithshëm e specialistë, infermierë, farmacistë dhe teknikë laboratori. Kërkesa është rritur gjithashtu edhe për profesionistët e shëndetit mendor dhe kujdesit social, ndërsa sistemi arsimor nuk po arrin të zëvendësojë me të njëjtën shpejtësi stafin që largohet.
Edhe pse regjistrimet në TIK po rriten, kërkesa e tregut vazhdon të jetë më e lartë se oferta. Shqipëria ka nevojë për programues, inxhinierë rrjetesh, specialistë të sigurisë kibernetike dhe analistë të të dhënave. Për më tepër, me integrimin e inteligjencës Artificiale në biznese, po lind një kërkesë e re për konsulentë dhe strategë që dinë të aplikojnë këto teknologji në operacionet e përditshme.
Sektori i turizmit po përballet gjithashtu me një krizë serioze për menaxherë profesionistë. Nuk bëhet fjalë vetëm për staf shërbimi (për të cilët kriza është edhe më e madhe, por për diploma në menaxhim hotelesh, udhërrëfyes të certifikuar, menaxherë të agjencive turistike dhe ekspertë të marketingut turistik. Bizneset po detyrohen të rrisin pagat ndjeshëm ose të kërkojnë menaxhim të huaj për shkak të mungesës së profilit akademik vendas në këtë fushë.
Tregu shqiptar po vuan nga mbiprodhimi i diplomave të përgjithshme në biznes dhe shkenca sociale, ku konkurrenca është e lartë dhe pagat fillestare mbeten të ulëta, ndërkohë që profilet teknike, shkencore dhe mjekësore ofrojnë punësim të menjëhershëm dhe paga gjithnjë e më konkurruese./monitor-A.D
