Një zakon i trashëguar nga familja e saj shqiptare ka bërë që Dua Lipa të shkaktojë të qeshura gjatë një interviste televizive.
Gjatë një bisede në “The Graham Norton Show”, këngëtarja u pyet për rregullat dhe zakonet që kanë shoqëruar familjen e saj. Dua sqaroi se nuk bëhet fjalë domosdoshmërisht për rregulla, por për besëtytni që ajo i ka mësuar që në fëmijëri.
Një prej tyre lidhet me kruarjen e hundës. Sipas Duas, nëse të kruhet hunda, kjo besohet se është shenjë se mund të përballesh me një situatë të pakëndshme ose të mërzitesh.
Por, sipas kësaj besëtytnie, ekziston edhe një mënyrë për ta shmangur fatin e keq: duhet të prekësh hundën dhe më pas të pasmet.
Rrëfimi i këngëtares shkaktoi të qeshura në studio, ndërsa aktorja Kate Winslet, e cila ishte gjithashtu e ftuar, reagoi me humor.
“Brilante! Duhet ta bëjmë të gjithë këtë”, tha Winslet, duke iu bashkuar bisedës dhe duke e kthyer besëtytninë shqiptare në një moment argëtues të intervistës.
Dua Lipa ka folur shpesh për rrënjët e saj shqiptare dhe për traditat e zakonet që ka marrë nga familja e saj, ndërsa këtë herë një tjetër prej tyre u bë pjesë e një bisede plot humor në televizionin britanik./mxh
