Presidenti çek, Petr Pavel i ka bërë thirrje NATO që të reagojë më ashpër ndaj provokimeve të vazhdueshme të Rusisë në kufijtë lindorë të aleancës.
Në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”, ai tha se NATO duhet “të tregojë dhëmbët” dhe të marrë masa më vendimtare, përfshirë rrëzimin e avionëve që shkelin hapësirën ajrore të aleancës, ndërprerjen e internetit ose satelitëve rusë dhe izolimin e bankave ruse nga sistemi financiar global.
Ai shprehu zhgënjim me “mungesën e vendosmërisë nga Shtetet e Bashkuara për të vazhduar presionin ndaj Rusisë”, megjithëse u shmang kritikave të drejtpërdrejta ndaj Donald Trump, pavarësisht se presidenti amerikan vazhdon të hedhë dyshime mbi të ardhmen e angazhimeve të Uashingtonit ndaj aleancës.
Paveli tha se udhëheqësit ushtarakë rusë qeshin herë pas here në lidhje me mungesën e vendimmarrjes së aleancës euro-atlantike.
“Kur i pyeta pse i bëjnë këto veprime provokuese në ajër, takime të afërta ose fluturime mbi anije luftarake në Detin e Zi ose Detin Baltik, përgjigjja e tyre ishte ‘sepse ne mundemi’. Ky është pikërisht lloji i sjelljes që lejuam”, tha ai.
Pavel paralajmëroi se Rusia po teston vazhdimisht kufijtë e NATO-s duke qëndruar pak nën pragun e nenit 5, që konsideron sulm ndaj një anëtari si sulm ndaj të gjithëve. Ai tha se Moska “kupton vetëm gjuhën e forcës” dhe se mungesa e reagimit mund ta inkurajojë Kremlinin të intensifikojë provokimet.
“Nëse disa udhëheqës evropianë preferojnë gjithmonë një zgjidhje diplomatike, edhe pse rusët nuk tregojnë gatishmëri për një të tillë”, NATO rrezikon të jetë e ndarë dhe e paaftë për të vepruar. Rusia, për fat të keq, nuk e kupton gjuhën e bukur. Ata e kuptojnë kryesisht gjuhën e fuqisë, idealisht të shoqëruar me veprime… nëse shkeljet e hapësirës ajrore të NATO-s vazhdojnë, do të na duhet të marrim një vendim për të rrëzuar një avion pa pilot ose me pilot.”, tha ai.
Paveli tha se aleanca duhet të marrë në konsideratë edhe masa asimetrike “që nuk po vrasin njerëz, por janë mjaftueshëm të ndjeshme për ta bërë Rusinë të kuptojë se kjo nuk është rruga që duhet të ndjekë”. Sipas tij, “nëse nuk reagojmë ndaj shkeljeve me të cilat përballemi sot, atëherë Rusia ndoshta do të ndërhyjë”.
“Për shembull, fikja e internetit ose satelitëve. E patë ndryshimin që bëri Starlink në fushën e betejës, ose shkëputja e bankave ruse nga sistemi financiar.”
Presidenti çek kritikoi gjithashtu mungesën e vendosmërisë nga SHBA dhe Europa ndaj Rusisë, duke kërkuar më shumë presion ekonomik dhe sanksione më të forta për ta detyruar Moskën të negociojë paqe për Ukrainën. Ai tha se heqja e sanksioneve duhet të lidhet vetëm me armëpushim dhe negociata serioze.
“Në vend të kësaj, ne kryesisht presim atë që vjen nga Uashingtoni. Dhe madje edhe SHBA-të mund të jenë më të lumtura me faktin që Evropa është më aktive. Nëse nuk dalim me propozimet tona, atëherë dukemi të dobët ose të çorientuar.”/mxh
