Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, ka dhënë një paralajmërim të fortë gjatë një paneli të Grupit të Tridhjetë në samitet e institucioneve financiare ndërkombëtare: Europa është e gatshme të përballet me sfidat që vijnë nga Kina, në bashkëpunim me SHBA-të si aleatë.
Por nëse Washingtoni vazhdon ta trajtojë Brukselin si kundërshtar, apo edhe si armik, atëherë Europa do të detyrohet të mbrohet dhe i ka mjetet për ta bërë këtë. Problemi, sipas saj, shkon përtej tarifave doganore dhe prek të gjithë strategjinë gjeopolitike të administratës Trump.
Lagarde theksoi se nëse SHBA-të vazhdojnë ta shohin Europën si kundërshtar tregtar dhe Kina ndjek politika që shtrembërojnë tregun, atëherë Europa ka një strategji për të mbrojtur ekonominë e saj. “Duhet dhe mund të çlirojmë potencialin e tregut tonë unik, të madh sa një kontinent, dhe ta kthejmë atë në një burim kërkese shumë më dinamike për kompanitë europiane,” tha ajo, citon La Repubblica.
Lagarde vuri në dukje se suficiti i llogarive korente të Europës është në rënie: nga rreth 4% e PBB-së në vitin 2018, në 2.1% në gjysmën e parë të vitit 2025, dhe pritet të ulet edhe më tej. Ndërkohë, Kina po e rrit suficitin nga 0.2% në 3.7%, ndërsa SHBA-të po e thellojnë deficitin nga 2.1% në 6%. “Europa nuk është burimi kryesor i pabarazive tregtare globale,” tha Lagarde, duke shtuar se kjo çështje do të jetë temë kyçe në samitin e G20 nën presidencën amerikane.
Lagarde sqaroi se suficitet më të mëdha të eurozonës nuk janë me SHBA-të apo Kinën, por me Mbretërinë e Bashkuar, vendet jashtë eurozonës, Australinë dhe Kanadanë. Deficiti me Kinën është rreth 150 miliardë euro, ndërsa me SHBA-të bilanci është pothuajse i ekuilibruar: suficiti në mallra kompensohet nga deficiti në shërbime.
“Një aleancë mes SHBA-ve dhe BE-së do të ishte më e dobishme, veçanërisht në sektorin e metaleve të rralla, ku duhet bashkëpunim dhe jo veprim i izoluar,” tha ajo.
Sekretari amerikan i Thesarit, Bessent, dha sinjale pozitive duke njoftuar një takim javën e ardhshme me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng, përgjegjës për tregtinë, në prag të takimit mes presidentëve Trump dhe Xi që pritet në fund të muajit gjatë samitit APEC në Korenë e Jugut.
Nëse përmirësimi i marrëdhënieve nuk ndodh edhe me Brukselin, Lagarde sugjeron që Europa të vazhdojë me politika që nxisin kërkesën e brendshme, duke e bërë më të qëndrueshme ndaj goditjeve të reja. /K.M
