Detaje të reja kanë dalë lidhur me vdekjen e Presley Gerber, djalit të supermodeles Cindy Crawford dhe biznesmenit Rande Gerber. 27-vjeçari u gjet pa shenja jete të dielën, më 20 shtator, në një qendër rehabilitimi në Santa Monica, ku kishte mbërritur një natë më parë.
Sipas raportimeve të “TMZ“, Presley u gjet në një dhomë gjumi, pranë shtratit. Regjistrimet e thirrjes në 911 i referohen një arresti kardiak dhe një “mbidoze të dyshuar”, ndërsa policia po e heton vdekjen në këtë drejtim. Megjithatë, shkaku zyrtar ende nuk është përcaktuar dhe pritet të sqarohet nga autopsia dhe analizat toksikologjike. Deri tani, sipas raportimeve, fentanili nuk është evidentuar në hetim.
Sipas të dhënave të Mjekësisë Ligjore të Qarkut të Los Anxhelosit, vdekja e Presley-t u konstatua në orën 09:45 të mëngjesit. Në muajt para vdekjes, ai kishte pasur edhe mbështetjen e një trajneri për varësinë, i cili e ndiqte vazhdimisht dhe e ndihmonte në përpjekjet për të qëndruar larg substancave, ndërsa nuk dihet nëse ai ndodhej me Presley-n gjatë fundjavës së fundit.
Familja Gerber ka kërkuar privatësi pas tragjedisë dhe humbjes së njeriut të tyre të shtrenjtë.
“Familja kërkon privatësi gjatë këtij momenti shumë të vështirë dhe të dhimbshëm”, deklaroi një përfaqësues në emër të Cindy Crawford, Rande Gerber dhe Kaia Gerber.
Vetëm katër ditë para vdekjes së të vëllait, Kaia kishte treguar për “People” se Presley po ndiqte serialin e saj The Shards dhe i dërgonte fotografi ndërsa e shikonte, duke e cilësuar këtë si një gjest të këndshëm”./mxh
