Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar sërish ndaj deklaratave që sipas tij janë kontradiktore të avokatit, Gentian Sejrani, lidhur me pretendimet për ushtrim të dhunës ndaj një personi të ndaluar prej Policisë së Shtetit. Në reagimin e tij, Lamallari vë në dukje faktin se i njëjti avokat ka përgënjeshtruar veten e tij në dy reagime të ndryshme.
“Cilit avokat t’i besojmë, këtij ‘avokatit të provave’ që thotë me zë e figurë se “mbrëmjen e djeshme klienti i tij është dhunuar nga policia”, apo këtij tjetrit ‘avokat zëdhënës’ që po sot në një reagim të tij përgënjeshtron veten, duke thënë se është e vërtetë ajo çfarë ka konstatuar Avokati i Popullit, se deri të premten (dje) s’ka pasur probleme??? Kjo nuk është propagandë, por detyrimi për të demaskuar keqinformimin që buron qoftë dhe nga papërgjegjshmëria etiko-profesionale!”, thotë ministri Lamallari teksa publikon deklaratën e avokatit dhe një shënim prej tij, ku njëherë thotë se është ushtruar dhunë dhe më pas pranon që një ditë më parë s’ka pasur ushtrim dhune.
Më herët gjatë ditës, ministri Lamallari ka thënë se nëse edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore del në të njëjtat konkluzione si Avokati i Popullit, që ndaj personit në fjalë nuk është ushtruar dhunë, atëherë Policisë së Shtetit i lind e drejta dhe detyrimi jo vetëm për referimin në prokurori të deklaruesit (avokatit) sipas përcaktimeve ligjore në fuqi lidhur me përhapjen e qëllimshme të thënieve që nxisin urrejtje, por edhe për referimin në Dhomën Kombëtare të Avokatisë ku buron liçenca e një avokati të dyshuar për papërgjegjshmëri etiko-profesionale./mxh
