Një gjykatë në Paris ka shpallur fajtorë dhjetë persona për bullizim kibernetik ndaj Brigitte Macron, bashkëshortes së Presidentit francez Emmanuel Macron. Të dënuarit akuzohen se kanë përhapur informacione të rreme dhe komente dashakeqe në rrjetet sociale.
Gjykata vendosi se të pandehurit kishin përhapur teori konspirative rreth gjinisë dhe seksualitetit të Zonjës së Parë, si dhe kishin bërë “komente dashakeqëse” për diferencën prej 24 vitesh mes çiftit presidencial.
Për këto akuza, gjykata dha dënime me burg me kusht deri në tetë muaj për personat e përfshirë. Teoria e rreme se Brigitte Macron është një grua transgjinore ka qarkulluar në internet që nga viti 2017, kur Macron u zgjodh për herë të parë president.
Vendimi i sotëm në Francë vjen në një kohë kur çifti Macron po ndjek një padi për shpifje edhe në SHBA. Shënjestra e tyre është influencuesja e krahut të djathtë, Candace Owens, e cila ka mbështetur publikisht teoritë konspirative për gjininë e zonjës Macron.
Avokatët e çiftit pretendojnë se Owens ka injoruar çdo provë zyrtare dhe ka zgjedhur t’u japë zë shpifësve të vërtetuar. Vetë Owens deklaroi në mars të vitit 2024 se ishte gati të vinte në lojë “të gjithë reputacionin e saj profesional” mbi besimin se Brigitte Macron është burrë.
Brigitte dhe Emmanuel Macron janë martuar në vitin 2007. Ata u njohën kur ajo ishte mësuese në shkollën e tij të mesme, një fakt që është përdorur shpesh nga sulmet në rrjet për të nxitur komente negative dhe teori të rreme./kb
