Ka një sërë këndvështrimesh mbi mënyrën se si rrjetet sociale ndikojnë shoqërinë tonë, si pozitivisht, ashtu edhe negativisht.
Në fund të fundit, disa njerëz kalojnë orë të tëra çdo ditë në këto platforma, ndaj duhet të jemi të vetëdijshëm për ndikimin e tyre. Tashmë, ndikimet kanë prekur edhe zakonet tona në shpenzime, kursime dhe investime.
Rrjetet sociale shpesh tregojnë një version të kuruar dhe të ekzagjeruar të realitetit. Njerëzit rrallë postojnë mbi problemet e sjelljes së fëmijëve në shkollë apo për stresin kur kujdesen për prindërit e moshuar.
Ata postojnë për pushime luksoze, vende të shkëlqyera në ndeshje sportive dhe mbrëmje të shtrenjta. Kjo krijon një ndjenjë të shtrembëruar të asaj që është “normale” dhe mund të çojë në një presion të pavetëdijshëm për të mbajtur hapin.
Le të marrim një shembull: ndiqni miq ose influencues që udhëtojnë nëpër botë, qëndrojnë në hotele më të mira dhe hanë në restorante luksoze. Ndoshta, pa e kuptuar, kjo ndikon në mënyrën se si ndiheni për pushimin “normal” që bëni në plazh, edhe pse e keni shijuar për vite me radhë.
Ose ndoshta gjatë festave shihni postime të miqve që kalojnë kohë në shtëpitë e tyre në bregdet. Mund të filloni të mendoni se të kesh një shtëpi të dytë është më e zakonshme dhe më e nevojshme sesa është në të vërtetë.
Sociologia Marsida Simo rikujton se, rrjetet sociale theksojnë momentet më të bukura të jetës së dikujt dhe jo realitetin e tyre të përditshëm.
“Duke qenë se jemi të ekspozuar vazhdimisht në rrjete të ndryshme sociale, kemi krijuar një realitet të përsosur, ku njerëzit tregojnë vetëm momentet më të bukura, shpenzimet luksoze dhe arritjet më mbresëlënëse.
Ky efekt nuk është thjesht një ndjesi momentale, por prek thellë psikologjinë njerëzore”, – thotë sociologia, duke theksuar se, ndikimi i rrjeteve sociale në mënyrën se si i shohim paratë, shpenzimet dhe investimet është i pamohueshëm.
“E gjitha kjo krijon një ndjesi krahasimi të vrazhdë duke e çuar individin në pakënaqësi, pamjaftueshmëri dhe çoroditje. Paraja dhe pasuria, përtej funksionit praktik, transformohen në një standard social.
Ajo që shohim te të tjerët në botën virtuale, duket gjithmonë më e madhe, më e bukur dhe më e arritshme se ajo që kemi ne”, – vijon znj. Simo.
Ajo ndalet te të rinjtë, duke nënvizuar se ky efekt është veçanërisht më i fuqishëm.
“Ata janë në fazën e formimit të identitetit dhe krahasimi social mund të ndikojë jo vetëm te vetëvlerësimi, por edhe te vendimet financiare, duke i rritur shanset për shpenzime impulsive. E gjitha kjo për të qëndruar në atë nivel që kanë formuar si imazh prej personave të famshëm që ndjekin”, – thekson znj. Simo.
Sociologia bën thirrje se edukimi financiar i hershëm duhet bërë domosdoshmëri – i ndihmon të rinjtë të kuptojnë diferencën mes dëshirave dhe nevojave, të menaxhojnë buxhetin dhe të planifikojnë investime të mençura.
“Njohuritë mbi kursimin, planifikimin dhe investimet janë po aq të rëndësishme sa njohuritë mbi teknologjinë dhe përdorimin e rrjeteve sociale.
Këto njohuri do t’u shërbejnë si një filtër, duke i bërë më të kujdesshëm në vendimet e tyre financiare, të veprojnë me etikë, të shmangin mashtrimet dhe të reduktojnë rreziqet e pakthyeshme”, – përfundon znj. Simo.
Një nga fenomenet që po vërehet gjithnjë e më shumë është “dismorfia e parasë”, ku individët ndihen financiarisht të pasigurt edhe në kushte kur janë realisht të qëndrueshëm.
“Kjo ndodh sepse krahasimi nuk bëhet më me mjedisin natyror ekonomik ku jeton individi, por me standardet globale të luksit, të cilat qarkullojnë me intensitet të madh në rrjetet sociale.
Si pasojë, krijohet një ndjenjë privimi relativ që nuk është produkt i realitetit, por i imazheve të kuruara që nxisin presionin për të konsumuar mbi mundësitë”, – thotë për “Monitor”, eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.
Rrjetet sociale po ndikojnë gjithnjë e më fort edhe në sjelljen financiare të familjeve.
Eksperti thotë se, shpenzimet impulsive, kreditë e marra për të mbuluar shpenzime joproduktive, apo investimet e nxituara në produktet që promovohen online, janë vetëm disa nga rreziqet që po shfaqen.
“Në një ekonomi të vogël si ajo shqiptare, kjo sjellje mund të krijojë tensione të panevojshme financiare tek individët dhe familjet dhe të deformojë prioritetet e tyre ekonomike.
Nga këndvështrimi i politikave publike dhe edukimit financiar, sfida kryesore është ndërtimi i një kulture ekonomike ku individët të kuptojnë se pasuria nuk matet me imazh, por me stabilitet, kursim dhe investim afatgjatë.
Është e rëndësishme që përdoruesit të kultivojnë një qasje kritike ndaj përmbajtjeve që konsumojnë dhe të ndërtojnë objektiva personale financiare të bazuara në realitetin e tyre, jo në modelet e krijuara në platforma digjitale”, – thotë z. Xhepa. m.p.
