Last Updated on 29/10/2025 by Kesjana
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka marrë të pandehur dy mjeke obstetër-gjinekologe, me inicialet E.K. dhe I.M., të akuzuara për veprën penale “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”, parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet e zhvilluara mbi procedimin penal nr. 225 të vitit 2023 nisën pas kallëzimit të shtetases G.S., e cila ka pretenduar se si pasojë e moskujdesit dhe neglizhencës mjekësore, humbi jetën e foshnjës së saj ndërsa edhe vetë pësoi rrezik serioz për jetën dhe shëndetin.
Hetimet: mosrespektim i protokolleve dhe mungesë dokumentacioni
Nga verifikimet e Prokurorisë, mjeket kanë treguar sjellje të pakujdesshme dhe neglizhente, përfshirë mosrespektimin e protokolleve standarde, mosmonitorimin e shenjave jetësore të pacientes dhe mosreagimin ndaj ndryshimeve shqetësuese në gjendjen e saj shëndetësore.
Në veçanti, mjekja I.M. nuk ka hapur dhe nuk ka mbajtur historikun e të dhënave mjekësore për shtatzëninë e pacientes, pavarësisht se e ka ndjekur rastin për një periudhë të gjatë kohe. Sipas Prokurorisë, ajo nuk ka ndërmarrë ekzaminime të detajuara, edhe pse pacientja shfaqte shqetësime të vazhdueshme, duke çuar në lindjen e një foshnjeje prematur me probleme serioze shëndetësore, e cila më pas ka humbur jetën.
Pas përkeqësimit të gjendjes, pacientja iu drejtua edhe mjekes E.K., e cila gjithashtu, sipas hetimeve, nuk ka ndërmarrë masa mjekësore të përshtatshme për të trajtuar gjendjen e rënduar, e identifikuar më vonë si pre-eklampsi e formës së rëndë. Prokuroria thekson se nuk ekziston asnjë dokument që të vërtetojë se gjatë kësaj periudhe janë matur parametrat jetësorë të pacientes, si tensioni apo pesha trupore.
Pasojat dhe qëndrimi i Prokurorisë
Pacientja është shtruar më pas në maternitetin “Koço Gliozheni” me diagnozë pre-eklampsi të avancuar, që kërkoi ndërprerje të menjëhershme të shtatzënisë. Organi i akuzës vlerëson se kjo situatë është pasojë direkte e mungesës së ndjekjes së duhur mjekësore nga ana e mjekeve E.K. dhe I.M.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se veprimet dhe mosveprimet e dy mjekeve plotësojnë elementët e veprës penale “Neglizhencë në trajtimin mjekësor” dhe ka vendosur t’i dërgojë ato për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë./kb
