Last Updated on 20/11/2026 by Anisa
Prokuroria e Vlorës ka konfiskuar pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 16 milionë euro në zonën e “Ujit të Ftohtë”, të cilat dyshohet se janë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara. Pasuritë i kalojnë në pronësi shtetit, pas vendimit të gjykatës.
Sipas hetimeve, në proceset gjyqësore dhe procedurat administrative për njohjen dhe kthimin e një prone prej 32 mijë metrash katrorë është përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar. Më pas, prona është ndarë dhe kaluar në emër të personave të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së saj të paligjshme.
Në këtë çështje, shtetasi me inicialet P.P. u dënua me 7 vite burg për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Konfiskimi përfshin pronën fillestare prej 32 mijë metrash katrorë, si dhe disa pasuri të tjera që kanë rrjedhur prej saj, me sipërfaqe të ndryshme, përfshirë një pronë prej 23.363 metrash katrorë.Vendimi vjen pas hetimeve të nisura në vitin 2015, ndërsa të gjitha pasuritë e identifikuara në kuadër të kësaj çështjeje kalojnë në pronësi të shtetit./ad
