Last Updated on 13/10/2026 by EL
Gazetari Lutfi Dervishi e cilësoi protestën e sotme në Tiranë si një moment që kërkon analizë dhe reflektim, duke argumentuar se mënyra se si Policia e Shtetit menaxhoi situatën ndryshoi dinamikën e ngjarjeve.
I ftuar në emisionin “Off the Record” Dervishi tha se, megjithëse aktet e para të dhunës erdhën nga protestuesit, përshkallëzimi i mëtejshëm lidhej, sipas tij, me mënyrën e ndërhyrjes së forcave të rendit.
Ai kritikoi veçanërisht përfshirjen e forcave “Shqiponja” në përballjet me protestuesit, duke theksuar se misioni i tyre nuk është menaxhimi i tubimeve. Sipas gazetarit, policia duhet të identifikojë personat problematikë, të koordinojë ndërhyrjet dhe të përdorë forcën në mënyrë proporcionale.
“Dhuna ka filluar nga protestuesit, përshkallëzimi ka ardhur për shkak të policisë”, u shpreh Dervishi, duke e cilësuar situatën si tregues të paaftësisë për të menaxhuar edhe një protestë të dhunshme.
Gazetari vuri në pikëpyetje edhe rolin e drejtuesve të policisë, të cilët, sipas tij, duhet të jenë përgjegjës për koordinimin e efektivëve dhe dialogun me organizatorët e protestës, në vend që të përfshihen drejtpërdrejt në kapjen e protestuesve./ET
