Pasi dhjetëra minatorë në Spaç të Mirditës, prej datës 8 tetor kanë pezulluar punën ne galeritë e kromit dhe janë ngritur në një protestë, ka reaguar sërish kompania koncesionare turke TETE Albania. Përmes një njoftimi për mediat, TETE Albania e ka konsideruar protestën e minatorëve si të jashtëligjshme, pasi sipas tyre punonjësit kanë shkelur kontratat individuale të punës dhe legjislacionin në fuqi.
TETE Albania shton se janë të gatshëm që të dëgjojnë kërkesat e punonjësve dhe i fton për herë të fundit që të rikthehen menjëherë në detyrë.
Kompania thekson se kthimi në punë përbën hapin e parë drejt normalizimit të situatës dhe stabilitetit të përgjithshëm.
“Që nga data 8 tetor 2025, brenda kompanisë TETE ALBANIA TUNNEL AND MINING Sh.A. është zhvilluar një grevë e paligjshme, gjatë së cilës më shumë se 45 punonjës nuk janë paraqitur në vendin e punës.
Si shenjë vullneti të mirë, TETE Albania ka informuar vazhdimisht punonjësit për shkeljet ligjore që burojnë nga ky veprim dhe u ka bërë thirrje për t’u rikthyer në punë, duke theksuar gatishmërinë e kompanisë për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të zhvilluar dialog të hapur.
Megjithëse punonjësit në fjalë kanë shkelur kontratat individuale të punës dhe legjislacionin në fuqi, kompania, në frymën e besimit dhe bashkëpunimit, i fton për herë të fundit të rikthehen menjëherë në detyrë.
TETE Albania nënvizon se çdo çështje mund të trajtohet në mënyrë të hapur dhe ligjore, përmes komunikimit institucional dhe respektimit të rregullave të punës.
Kompania shpreh gatishmërinë për të mirëpritur rikthimin e të gjithë punonjësve me kontrata të vlefshme pune, duke theksuar se kthimi në punë përbën hapin e parë drejt normalizimit të situatës dhe stabilitetit të përgjithshëm, si për 170 punonjësit e tjerë aktivë, ashtu edhe për qindra punëtorë të kompanive nënkontraktuese që presin rifillimin e aktivitetit.
Në përfundim, TETE Albania falënderon institucionet shtetërore për vëmendjen e treguar gjatë këtij procesi dhe rikonfirmon angazhimin e saj për dialog, respektim të ligjit dhe bashkëpunim të ndërsjellë në zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje, thuhet në reagimin e TETE Albania.
Një nga kërkesat kryesore të minatorëve të Spaçit, është njohja e sindikatës së krijuar në muajin gusht dhe nënshkrimi i një kontrate kolektive, që sipas tyre do të garantonte të drejtat dhe sigurinë në punë. m.p.
