Last Updated on 26/08/2025 by adminfjala
Ofer Cassif*
Ndërsa Izraeli e shtyn përpara ofensivën e zgjeruar ushtarake në Gaza, me pasoja shkatërruese, më afër shtëpisë zëri i kundërshtimit po rritet. Të shtunën, mijëra njerëz u mblodhën në Sheshin Habima, në qendër të Tel Avivit, për të kërkuar një fund të luftës – një nga tubimet më të mëdha që nga shpërthimi i luftimeve. Policia izraelite anuloi një leje të mëparshme për marshim nëpër qytet, në një përpjekje të qartë për të heshtur zërat tanë të kundërshtimit – por ne refuzuam të lejonim të fitonin. Kishin kaluar vetëm 24 orë që nga shpallja e urisë në Gaza nga Klasifikimi i Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC), i cili ekspozoi tmerrin e fushatës së plotë të urisë së organizuar nga Izraeli. Shumë izraelitë ndjenë se ishte detyrimi ynë të dilnim në rrugë.
Që nga vendimi i kabinetit për të riorganizuar kontrollin në qytetin e Gazës, ushtria izraelite ka lëshuar 60,000 urdhra të rinj mobilizimi për rezervistët. Kur ato të hyjnë në fuqi në fillim të shtatorit, forcat rezervë do të arrijnë nivelin më të lartë që nga shpërthimi i luftës – 130,000. Por nuk është vetëm ushtria ajo që po rritet në numër. Po aq shpejt po rritet edhe lëvizja e refuzimit.
Në javët e fundit, një valë e re refuzuesish ka dalë si reagim ndaj cinizmit politik të Benjamin Netanyahut. Në biseda private mes familjarësh ose në deklarata publike, gjithnjë e më shumë izraelitë po e kuptojnë se shërbimi ushtarak është bashkëpërfshirje në krimet e qeverisë. Lëvizja nuk është homogjene – as në moshë e grupim shoqëror, as në motivim ose ideologji. Disa kundërshtarë të ndërgjegjshëm, si të rinjtë e organizatës Mesarvot, dalin publikisht me refuzimin e tyre për të qenë pjesë e makinës së luftës. Ata trajtohen me ashpërsi ekstreme dhe shpesh kalojnë në cikle burgosjeje në qelitë ushtarake. Kam kryer personalisht vizita inspektuese në këto ambiente, duke takuar këta njerëz të guximshëm që tashmë njihen si “ushtarët e paqes”.
Të tjerë nuk janë të gatshëm ta bëjnë publik qëndrimin e tyre, por në heshtje refuzojnë shërbimin. Të dhënat për numrin e saktë të këtyre “refuzuesve gri” trajtohen si sekret inteligjence dhe nuk bëhen publike nga ushtria. Por organizata Yesh Gvul, që ndihmon ata që thirren të sigurojnë përjashtime nga drafti, pohon se numri i tyre është vazhdimisht në rritje. Një sondazh i fundit i publikuar nga Haaretz tregoi një rritje të dukshme të mbështetjes publike për ata që refuzojnë thirrjen ushtarake – rreth 33% e izraelitëve hebrenj besojnë se kjo është jo vetëm e justifikuar, por edhe e domosdoshme për të shpëtuar pengjet nga rreziqet e fushatës ushtarake në qytetin e Gazës. Motivet për refuzim variojnë nga kundërshtimi ndaj gjenocidit, te kundërshtimi moral për t’u bërë pjesë e krimeve të luftës, nga kundërshtimi politik ndaj okupimit në tërësi, e deri te shqetësimet se veprimet ushtarake rrezikojnë pengjet, apo edhe mospëlqimi për përjashtimin e komunitetit ultra-ortodoks nga shërbimi.
Ella Keidar Greenberg, një kundërshtare e ndërgjegjshme që foli në tubimin e së shtunës pasi kishte kaluar gjithë prillin në izolim, tha se me refuzimin e saj kishte arritur të pengonte shkatërrimin e mëtejshëm. Edhe pse zëri i tyre ende mbetet në pozitë margjinale, është e qartë se gjithnjë e më shumë izraelitë duan ta sfidojnë qeverinë. Muajt e fundit janë shoqëruar me gjithnjë e më shumë demonstrata, vigjilje dhe akte të drejtpërdrejta kundër luftës së Netanyahut.
Të bashkuar nga nocioni bazë i njerëzimit, mijëra arabë e hebrenj dolën krah për krah të shtunën për të protestuar kundër urisë, masakrës dhe shkatërrimit. Protestuesit mbanin fotografi të fëmijëve të uritur dhe të bombarduar në Gaza, duke ditur se fajtorët për dhimbjen e tyre ende mbeten në pushtet. Ne kërkuam lirimin e të gjithë pengjeve dhe të burgosurve të paligjshëm – izraelitë e palestinezë – nëpërmjet një marrëveshjeje politike që do të çonte në tërheqjen e plotë të forcave ushtarake izraelite nga Gaza.
Por në dritën e një vale të re bombardimesh mbi Gaza, mesazhi ynë nga protesta kuptohet më së miri nga pankarta: “Kurrë më”. Kurrë më nuk do të lejojmë heshtjen përballë fëmijëve të therur dhe familjeve të uritura. Kurrë më nuk do të shikojmë në heshtje teksa Netanyahu urdhëron shkatërrimin e lagjeve dhe pushtimin e spitaleve. Kurrë më nuk do ta lejojmë qeverinë e tij të refuzojë marrëveshje për lirimin e pengjeve. Kurrë më nuk do të lejojmë që gjenocidi në Gaza të shpaloset në qetësi.
Si pasardhës i një familjeje hebreje nga Polonia, fjalët “kurrë më” kanë një domethënie të veçantë për mua. Pas Luftës së Dytë Botërore, njerëzimi u zotua të mos lejojë kurrë më përsëritjen e tilla mizorive. Holokausti, shfarosja masive e popullit hebre, preku thellësitë e së keqes tiranike. Pikërisht për shkak të kësaj trashëgimie, unë e shoh “kurrë më” si një detyrim universal.
Në vitin 1948, bashkësia ndërkombëtare miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Në dekadat që pasuan, kemi dështuar shpesh si njerëzim për të ruajtur këtë të vërtetë të paçmuar: se njerëzit nuk duhet të zhduken në flakë, dhe krime kaq të tmerrshme nuk duhet të kryhen ndërsa të tjerët shikojnë pa bërë asgjë. Por kurrë më parë kohët e fundit njerëzit e botës nuk kanë parë kaq qartë në humnerën e shfarosjes, siç po ndodh sot në Gaza. Për këtë arsye, “kurrë më” nuk është thjesht një kujtesë morale, por një urdhër etik për të vepruar.
Siç thotë një fjalë e urtë: “Më mashtro një herë, turpi është i yti; më mashtro dy herë, turpi është i imi”. Duket se Netanyahu arrin të mashtrojë vazhdimisht liderët perëndimorë. Të premten, në përgjigje të shpalljes së urisë nga IPC, ministri i jashtëm britanik, David Lammy, tha se ishte një “katastrofë e tmerrshme, plotësisht e shmangshme dhe e shkaktuar nga njeriu”. Pyetja që u bëj Lammy-t dhe pjesës tjetër të kabinetit britanik është: a jeni edhe ju ndër përgjegjësit për këtë katastrofë? Në korrik, kryeministri britanik, Keir Starmer, shpalli një plan të kushtëzuar për të njohur një shtet palestinez nëse Izraeli nuk ndryshon kurs.
Por njerëzit e uritur, nën kërcënimin e vazhdueshëm të bombardimeve, nuk mund të presin me të njëjtën durim si zyrtarët në zyrat prej mermeri. Ata luten për ushqim, ujë dhe ajër, ndërsa politikanët debatojnë për kushte dhe afate.
Starmer duhet ta njohë Palestinën menjëherë dhe pa kushte. Por ai duhet të njohë shumë më tepër se kaq. Duhet ta pranojë Netanyahun si kriminel ndërkombëtar lufte. Duhet të mbështesë sanksione të reja ndaj lëvizjes së kolonëve, përfshirë ministrat si Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich. Duhet të njohë se Netanyahu dhe qeveria e tij janë pengesa kryesore për lirimin e pengjeve. Duhet të pranojë popullin e Gazës si viktimë të një gjenocidi të vazhdueshëm, dhe të veprojë si e tillë. Përndryshe, ai do të mbetet bashkëpërgjegjës në këtë katastrofë shkatërrimtare të shkaktuar nga njeriu.
*Anëtar i Knesset-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
