Avokatja 50-vjeçare Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi partia e saj e qendrës, Partia e Autenticitetit dhe Modernitetit (PAM), fitoi numrin më të madh të mandateve në zgjedhjet parlamentare të javës së kaluar.
Emërimi i saj e bën El Mansourin gruan e dytë që drejton një qeveri në botën arabe, pas Najla Bouden të Tunizisë.
Ajo u emërua nga mbreti Mohammed VI, i cili e zgjodhi për postin e kryeministres përballë drejtuesit të federatës së futbollit të vendit, Fouzi Lekjaa, një politikan i rëndësishëm i së njëjtës parti. El Mansouri, 50 vjeçe, ka qenë prej disa vitesh kryebashkiake e Marrakeshit dhe ka shërbyer gjithashtu si ministre në qeverinë e mëparshme të koalicionit.
Maroku është një monarki kushtetuese, por pjesa më e madhe e pushtetit mbetet në duart e mbretit.
Zgjedhjet e Marokut dhe rruga drejt postit të kryeministres
Në një konferencë për shtyp pas fitores, përpara se të emërohej kryeministre, El Mansouri u pyet nëse shteti do të duhej të bënte ndryshime për ta përshtatur pjesëmarrjen e saj në ceremonitë fetare myslimane ku merr pjesë mbreti, përfshirë namazet e së premtes dhe të festave të Bajramit, ku burrat dhe gratë falen në ambiente të ndara.
Ajo nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes, por vlerësoi mbretin duke e quajtur “mbështetësin më të madh të grave” në vend.
“Madhëria e Tij është bartësi i urtësisë. Nëse më besohet përgjegjësia e kryeministres, do të jetë një nder i madh”, tha ajo.
El Mansouri është një nga politikanet më të njohura gra në Marok.
Me profesion avokate, ajo studioi në Universitetin Mohammed V në kryeqytetin Rabat, përpara se të vazhdonte studimet në Francë dhe SHBA, duke u specializuar në të drejtën e biznesit dhe atë të korporatave.
Ajo hyri në politikë pas themelimit të PAM në vitin 2008 dhe u bë gruaja e parë që drejtoi bashkinë e Marrakeshit në vitin 2009. Ajo u rikthye në këtë post pas zgjedhjeve të vitit 2021.
Gjatë pesë viteve të fundit, ajo shërbeu si ministre për planifikimin territorial, urbanizimin, strehimin dhe politikat e qyteteve në qeverinë e ish-kryeministrit Aziz Akhannouch.
Në shkurt 2024, ajo u bë koordinatore e koalicionit drejtues të PAM.
Gjatë karrierës së saj politike, El Mansouri ka folur rrallë publikisht për të drejtat e grave apo pabarazinë midis gjinive, pavarësisht debateve të vazhdueshme në Marok për çështje si ndalimi i poligamisë dhe barazia mes burrave e grave në të drejtën e trashëgimisë.
PAM duhet të krijojë koalicion për të qeverisur
Sipas kushtetutës së Marokut, mbreti emëron kreun e qeverisë nga partia që renditet e para në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve.
PAM është drejtuar nga një udhëheqje kolektive që nga shkurti i vitit 2024, në vend të një sekretari të përgjithshëm të vetëm.
Pas shpalljes së rezultateve javën e kaluar, El Mansouri tha se vendimi përfundimtar i takonte mbretit, për të zgjedhur mes saj dhe Lekjaa.
Në të kaluarën, emërimi ishte kryesisht një formalitet, pasi shumica e partive marokene drejtoheshin nga një sekretar i vetëm i përgjithshëm, duke e bërë të qartë se kush do të propozohej për të drejtuar qeverinë.
Me 97 mandate, PAM nuk ka shumicën dhe do të duhet të krijojë një koalicion me parti të tjera për të arritur 198 mandatet e nevojshme për shumicën absolute në parlamentin me 395 vende.
Nuk është e qartë me cilën parti do të bashkëpunojë, pasi marrëdhëniet e saj janë përkeqësuar me Tubimin Kombëtar të të Pavarurve (RNI), partinë që drejtoi qeverinë në largim, ku PAM ishte një partner i vogël koalicioni.
Partia islamiste e Drejtësisë dhe Zhvillimit (PJD) u rikthye me 54 mandate, nga vetëm 13 në zgjedhjet e mëparshme, e ndihmuar nga rikthimi i liderit të saj Abdelilah Benkirane, ish-kryeministër.
Pas votimit, Benkirane tha se partia do të qëndrojë në opozitë, duke refuzuar një partneritet me PAM. / BBC-ad
