Last Updated on 23/10/2026 by Monika
Një media britanike i ka kushtuar një artikull protestave studentore që po zhvillohen prej gati dy javësh në Tiranë, ndërsa janë shoqëruar me përplasje të ashpra mes policisë dhe protestuesve, arrestime, kaos dhe trazira të shumta në kryeqytet.
Aris Roussinos, autori i artikullit të publikuar në “UnHerd”, ka qenë vetë i pranishëm në këto protesta, ndërsa ka zhvilluar biseda me të rinj dhe politikanë për arsyet të cilat kanë nxjerrë njerëzit në bulevard për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Një ndër personat me të cilin Roussinos është takuar dhe ka zhvilluar një bisedë është nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi. Ky i fundit, gjatë intervistës e ka cilësuar kreun e qeverisë “si diktator dhe si kreun e narkoshtetit të parë në Evropë”.
Ai ka shtuar më tej se dhjetëra zyrtarë të lartë të qeverisë se Ramës dhe forcës politike që ai drejton, Partisë Socialiste, ndodhen në burg për korrupsion, trafik droge, vjedhje parash, pastrim parash dhe afera të tjera.
Lidhur me kërkesën e protestuesve për largimin e Ramës, Këlliçi është shprehur i bindur se brenda një periurdhe të shkurtër, kryeministri do të detyrohhet të largohet. Gjithashtu ka thënë se në një situatë të tillë, në parlament të zhvillohen seanca plenare sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Një tjetër deklaratë e fortë e nënkryetarit të PD-së ishte se kishte “një informacion nga rrethi më i ngushtë në Kryeministri se Rama po përpiqet të shkaktojë një vdekje gjatë protestës, nga radhët e policisë apo protestuesve”. Ai shprehu gjithashtu besimin se protestat nuk do të ndalen dhe do të kalojnë edhe kufirin e kryeqytetit.
Pjesë nga artikulli i “UnHerd”:
Në selinë e Partisë Demokratike, opozitës konservatore të Shqipërisë, takova Belind Këlliçin, nënkryetarin e ri të partisë, i cili është arsimuar në Amerikë. Në zyrën e tij, ndërsa në murin pas tij qëndronin të kornizuara fotografi me dedikim të Donald Trump-it dhe JD Vance-it, në dysheme gjendej një grumbull maskash kundër gazit dhe jelekësh mbrojtës plastikë.
Një natë më parë, policia kishte hedhur sasi të mëdha gazi lotsjellës brenda ndërtesës; sipas Këlliçit, kjo ishte pjesë e një plani ku agjentë provokatorë do ta digjnin godinën, për t’ua hedhur fajin protestuesve. E pyeta Këlliçin se çfarë nënkuptonte me postimin e tij në Tëitter një ditë më parë, ku thuhej: “Ky përbindësh, që kërkon gjak me çdo kusht, e meriton fatin e çdo diktatori që është tërhequr zvarrë nga populli i tij.”
“Rama është diktator dhe ai është kreu i narkoshtetit të parë në Evropë,” u përgjigj ai.
“Unë them se Partia Socialiste nuk është armiku im. Ajo është kundërshtari im politik; por, duke parë atë që Edi Rama i ka bërë Partisë Socialiste – dhe nëse i kontrolloni të dhënat e dekadës së fundit – do të shihni dhjetëra ministra, kryetarë bashkish, deputetë dhe zyrtarë të lartë që ndodhen në burg për korrupsion, trafik droge, vjedhje parash, pastrim parash dhe afera të tjera.”
E pyeta Këlliçin se çfarë do të ndodhë më tej me qeverinë e Ramës.
“Nuk mund t’ju them nëse kjo do të ndodhë brenda këtij muaji apo brenda këtij viti kalendarik, por jam shumë i bindur se, brenda një periudhe shumë të shkurtër – në javët apo muajt e ardhshëm –ai do të detyrohet të largohet,” tha ai.
“Nuk ka mundësi që njerëzit të vazhdojnë kështu. Nuk ka mundësi që ne të shkojmë në parlament dhe të bëjmë sikur gjithçka është normale. Ne nuk do ta bëjmë këtë. Ne do të qëndrojmë në krah të studentëve. Do të qëndrojmë në krah të protestuesve. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për t’i mbështetur dhe mbrojtur ata.”
Sa u përket ditëve në vijim, Këlliçi pohoi: “Kemi marrë një informacion nga rrethi i tij më i ngushtë në Kryeministri se ai po përpiqet të shkaktojë një vdekje gjatë protestës. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për studentë apo për forcat e policisë. Ai synon ta përdorë këtë si justifikim për ta ndërprerë menjëherë protestën, për të gjetur një mënyrë për të arritur marrëveshje me studentët dhe për të thënë: ‘Mjaft më, nuk mund të vazhdohet kështu; një viktimë mjafton, ndaj duhet të gjejmë një zgjidhje politike’.”
Megjithatë, Këlliçi shtoi: “Nuk besoj se studentët do të ndalen. Nuk besoj se qytetarët, njerëzit në Tiranë dhe në qytetet e tjera, do të ndalen.”/mxh
