Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të politikave të tij të ashpra ndaj imigracionit, duke deklaruar se synon të “ndërpresë përgjithmonë migrimin” drejt SHBA-së nga të gjitha “vendet e botës së tretë”. Komentet e tij, të bëra përmes një postimi në rrjetet sociale, u shoqëruan me kritika ndaj asaj që ai e quajti “barra e refugjatëve” për vendin.
Deklarata erdhi pas njoftimit se një pjesëtar i Gardës Kombëtare kishte humbur jetën si pasojë e një të shtënë me armë në Uashington DC, për të cilën autoritetet kanë vënë në pranga një shtetas afgan. Trump nuk dha detaje të mëtejshme dhe nuk specifikoi se cilat vende do të përfshiheshin në ndalimin e propozuar.
Një masë e tillë pritet të hasë sfida të forta ligjore dhe ka ngjallur menjëherë reagime nga agjenci ndërkombëtare, përfshirë ato të OKB-së.
Njoftimet e presidentit pas sulmit fatal të së mërkurës shënojnë një ashpërsim të ri të qëndrimit të tij ndaj imigracionit gjatë mandatit të tij të dytë. Më herët, Trump ka synuar deportime masive të migrantëve që kanë hyrë ilegalisht në vend, ulje drastike të numrit të refugjatëve të pranuar çdo vit, si dhe heqjen e të drejtës së shtetësisë automatike për këdo që lind në territorin amerikan. m.p.
