Vendimi i Francës, i marrë të martën, për të përjashtuar kompaninë Palantir nga shërbimet e saj të inteligjencës, është sinjali më i fundit i mosbesimit evropian ndaj kësaj kompanie amerikane të specializuar në analizën e të dhënave, e cila u themelua me ambicien e shpallur për të “mbrojtur Perëndimin”.
Fillimisht një startup i mbështetur nga CIA, kompania është shndërruar, dy dekada më vonë, në një nga aktorët më të fuqishëm teknologjikë të epokës së Donald Trump.
Themeluar pas 11 Shtatorit
Palantir u themelua në vitin 2003 nga ish-drejtues dhe punonjës të platformës së pagesave PayPal, të njohur si “Mafia e PayPal-it”, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Kompania zhvilloi një program kompjuterik të aftë për të analizuar baza gjigante të dhënash me qëllim identifikimin e kërcënimeve, një ide e frymëzuar nga sistemet e zbulimit të mashtrimeve që përdorte PayPal.
Peter Thiel, bashkëthemelues i PayPal-it dhe figurë e njohur e krahut ultrakonservator amerikan, besonte se një shkëmbim më i mirë i të dhënave mes agjencive mund të kishte parandaluar sulmet terroriste. Ai e ndërtoi kompaninë mbi një mision të qartë: “mbrojtjen e Perëndimit”.
Emri i kompanisë vjen nga “palantírët”, sferat magjike që shfaqen në veprën “Zoti i Unazave” të J.R.R. Tolkien.
Ndër themeluesit e tjerë janë Alex Karp, ish-koleg i Thiel në fakultetin e drejtësisë në Stanford, i cili u bë drejtor ekzekutiv pavarësisht mungesës së formimit inxhinierik, si dhe Joe Lonsdale, mbështetës i një linje të ashpër pro-inovacionit dhe ruajtjes së fuqisë amerikane.
Nga CIA te policia kundër emigracionit
Në vitin 2005, In-Q-Tel, fondi investues i CIA-s, hyri në kapitalin e Palantir. Programet e saj u përdorën nga trupat amerikane në Irak dhe Afganistan.
Gjatë dy dekadave, kompania bashkëpunoi si me administratat demokrate ashtu edhe me ato republikane. Sipas regjistrit federal të shpenzimeve, Palantir ka siguruar më shumë se 2.7 miliardë dollarë kontrata në fushën e mbrojtjes që nga viti 2008.
Biznesi i saj u zgjerua ndjeshëm me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Të ardhurat nga qeveria amerikane arritën në 687 milionë dollarë vetëm në tremujorin e parë të vitit 2026, një rritje prej 84% krahasuar me një vit më parë, sipas letrës së Alex Karp drejtuar aksionerëve.
Kontrata më e njohur ushtarake e kompanisë është projekti Maven, sistemi i Pentagonit për identifikimin e objektivave me ndihmën e inteligjencës artificiale. Palantir mori përsipër këtë projekt në vitin 2019, pasi Google u tërhoq për shkak të kundërshtimeve të punonjësve të saj.
Programi është zgjeruar ndjeshëm dhe është përdorur për identifikimin e objektivave në operacione të fundit ushtarake, përfshirë luftën izraelito-amerikane kundër Iranit.
Aktiviteti më i debatueshëm i Palantir lidhet me emigracionin.
Kompania ka nënshkruar kontrata me vlerë mbi 81 milionë dollarë me agjencinë amerikane të emigracionit ICE që nga janari i vitit 2025.
Sipas disa mediave, ICE përdor një mjet të Palantir që shfrytëzon të dhënat e agjencive shëndetësore për të identifikuar persona që mund të dëbohen nga vendi, gjë që ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat për të drejtat e njeriut.
Karp, filozofi në krye të kompanisë
Alex Karp, doktor në filozofi dhe i diplomuar në Gjermani, është figura publike e Palantir. Ai shfaqet rregullisht në media, ku paraqet vizionin e tij përmes deklaratave dhe letrave drejtuar aksionerëve, të cilat shpesh ngjajnë me manifeste politike.
Megjithëse deklaron se mban një qëndrim bipartiak, retorika e tij shpesh përfshin slogane libertariane dhe kritika ndaj shtetit, duke shkaktuar herë pas here pakënaqësi te klientët e kompanisë, që përfshijnë qeveri nga e gjithë bota.
Karp argumenton se Palantir ndihmon demokracitë perëndimore në luftën kundër terrorizmit dhe kundërshtarëve të tyre strategjikë.
Bashkëthemeluesi Joe Lonsdale është edhe më i ashpër në deklaratat e tij, duke sulmuar kulturën “woke” dhe duke mbrojtur epërsinë amerikane përballë Kinës dhe rregullatorëve evropianë.
Ndërkohë, Peter Thiel, një nga figurat më me ndikim në teknologjinë konservatore amerikane, i ka quajtur ata që kërkojnë të frenojnë zhvillimin teknologjik si “legjionarë të Antikrishtit”, duke paralajmëruar se ata mund të krijojnë një regjim totalitar global.
Për kë është besnik Palantir?
Mbështetja e pakushtëzuar e Palantir ndaj Shteteve të Bashkuara dhe retorika e saj kundër establishmentit mund të kthehen në problem për kompaninë.
Qeveri dhe parlamentarë në Francë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar po rishikojnë marrëdhëniet me kompaninë.
Sipas Aalok Mehta, drejtor i Qendrës së Inteligjencës Artificiale Wadhwani pranë institutit CSIS në Uashington, klientët e huaj po pyesin gjithnjë e më shumë nëse Palantir do të mbështesë interesat e tyre apo ato të Shtëpisë së Bardhë në momentet vendimtare.
“A do të pranonte kompania një kërkesë të administratës Trump nëse ajo do të kishte të bënte me informacione të ndjeshme ose sekrete?”, pyet ai.
Janë pikërisht këto dilema që klientët jo-amerikanë po fillojnë t’i marrin gjithnjë e më seriozisht./mxh
