Evropa Perëndimore po përballet me një valë të pazakontë të nxehti, me temperatura rekord që kanë përfshirë një sërë shtetesh, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë këto fenomene gjithnjë e më të rënda dhe më të shpeshta.
Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat kaluan 35 gradë Celsius të martën, më shumë se 2 gradë mbi rekordin e mëparshëm të muajit maj.
Sipas Zyrës Meteorologjike britanike, këto temperatura do të konsideroheshin ekstreme edhe për mesin e verës, e jo më për pranverën.
Edhe Franca po përjeton një valë të pazakontë të nxehti në fillim të sezonit. Shërbimi meteorologjik francez, Météo-France, raportoi rekorde të thyera temperaturash në të gjithë vendin. Rekorde të reja janë regjistruar gjithashtu në Irlandë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe Zvicër.
Sipas ekspertëve, shkaku i menjëhershëm i kësaj vale të nxehti është fenomeni i njohur si “kupola e nxehtësisë”, ku një zonë me presion të lartë ngec mbi rajon dhe bllokon ajrin e ngrohtë pranë sipërfaqes së tokës.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po e përkeqësojnë situatën.
Gjatë 30 viteve të fundit, Evropa është ngrohur me ritëm më shumë se dy herë më të shpejtë se mesatarja globale, sipas të dhënave të shërbimit klimatik Copernicus.
“Kur ndodh një valë të nxehti në një klimë që po ngrohet, efektet bëhen shumë më të rënda”, deklaroi Richard Betts, profesor në Universitetin e Exeterit dhe drejtues i kërkimeve klimatike në Zyrën Meteorologjike britanike.
Ekspertët paralajmërojnë se rekordet e temperaturave po thyhen me diferenca gjithnjë e më të mëdha. Sipas profesorit Erich Fischer nga ETH Zurich, në një klimë të qëndrueshme rekordet zakonisht tejkalohen me diferenca shumë të vogla, por sot temperaturat po i tejkalojnë rekordet me disa gradë Celsius.
Ndërkohë, vala e të nxehtit nuk kufizohet vetëm në Evropë. Në Delhi të Indisë temperaturat kanë arritur deri në 45 gradë Celsius, ndërsa edhe në SHBA janë regjistruar temperatura rekord për këtë periudhë të vitit.
Shkencëtarët paralajmërojnë se, nëse emetimet globale të karbonit nuk reduktohen ndjeshëm, temperaturat do të vazhdojnë të rriten. Sipas projeksioneve aktuale, ngrohja globale mund të arrijë afër 3 gradë Celsius deri në fund të shekullit.
“Klima në të cilën jetojmë sot nuk është më ajo me të cilën jemi rritur. Infrastrukturat dhe qytetet tona nuk janë të përgatitura për nxehtësi kaq ekstreme”, tha profesoresha Friederike Otto nga Imperial College London.
Ekspertët theksojnë se vetëm ulja e emetimeve të gazeve serrë mund të frenojë përkeqësimin e mëtejshëm të krizës klimatike dhe të reduktojë rrezikun nga valët ekstreme të nxehtësisë në të ardhmen./ kb
