Ekziston një thënie që prej kohësh qarkullon nga një kryeqytet në tjetrin në vendet e Gjirit Persik: “Ata që i afrohen Amerikës duke shpresuar të ngrohen, përfundojnë të zhveshur.”
Kuptimi i kësaj shprehjeje, që i atribuohet ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak, është i qartë: nuk duhet të ketë shumë iluzione kush kërkon mbrojtje nga aleati amerikan. Dhe nuk është çudi që këto fjalë janë rikthyer në qendër të debatit tani, 15 vite pas largimit të tij nga politika.
Që nga fillimi i marsit, vendet e Gjirit janë gjendur në vijën e parë të luftës mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër.
Mbi 4 mijë sulme me raketa dhe dronë janë lëshuar nga Teherani drejt vendeve të rajonit, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike. Shumica e tyre (rreth 2 mijë e 800) kanë goditur Emiratet e Bashkuara Arabe, të ndjekura nga Arabia Saudite, Katari, Kuvajti dhe Omani. Edhe pse shumë prej këtyre vendeve dëshironin dobësimin e Iranit, askush nuk e priste që Shtetet e Bashkuara t’i linin kaq të ekspozuara përballë këtij sulmi të madh.
Kjo shpjegon edhe vendimin e Mohammed bin Salman (të bërë publik nga burime saudite për NBC) për të mos lejuar avionët amerikanë të ngriheshin nga baza ushtarake “Prince Sultan” pranë Riadit dhe as përdorimin e hapësirës ajrore saudite.
Ky qëndrim i Arabisë Saudite do të kishte çuar në ndërprerjen e operacionit “Project Freedom” vetëm 36 orë pas nisjes së tij, planit amerikan për shoqërimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit të shpallur nga Donald Trump. As një bisedë direkte që zhvilloi me presidentin amerikan nuk e ka bindur princin e kurorës të ndryshojë qëndrim.
Kjo situatë nuk është e papritur: nëse lufta i ka lënë sauditët më të ekspozuar se sa prisnin, një marrëveshje në këtë fazë vetëm do ta komplikonte situatën. Nga këndvështrimi i Riadit, Irani do të dilte më i fortë vetëm sepse ka rezistuar, ndërsa arsenali i tij ushtarak nuk do të ishte prekur ndjeshëm. Kjo do ta bënte Arabinë Saudite të përballej me një fqinj edhe më të vështirë se më parë.
“Ky episod i ri lufte nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka rritur frustrimin e vendeve të Gjirit ndaj aleatit amerikan, i cili i ka futur në një përshkallëzim të pakontrolluar dhe tani duket i gatshëm t’i lërë përballë një Irani të radikalizuar”, ka deklaruar Camille Lons nga Këshilli i Europës për Marrëdhëniet me Jashtë.
Situata ndërlikohet edhe më shumë nga fakti se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari kanë zgjedhur strategji të ndryshme. Emiratet janë afruar me SHBA-të dhe Izraelin që nga Marrëveshjet e Abrahamit në vitin 2020 dhe kanë marrë pajisje ushtarake moderne që kanë ndihmuar në ndalimin e disa raketave iraniane.
Katari, nga ana tjetër, mbështetet më shumë në diplomaci. Arabia Saudite, megjithatë, nuk ka as hapësirën për të bashkëpunuar me Iranin, të cilin e konsideron rival historik, dhe as mund të afrohet me Izraelin për shkak të konfliktit në Gaza. Për këtë arsye, përballë Iranit, ajo ndjehet më e ekspozuar se të tjerët.
Shkrim nga La Repubblica/kb
