Gazetari Osman Stafa është kërcënuar me jetë me anë të një mesazhi në rrjetet sociale. Kërcënim për të cilin është bërë dhe një denoncim në Drejtorinë e Krimit Kibernetik.
Në lidhje me lajmin ka reaguar dhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, të cilët shprehin shqetësim dhe dënojnë kërcënimin ndaj gazetarit Stafa.
Në reagimin e bërë, AGSH thotë se kërcënimi ndaj gazetarit është bërë në lidhje me një publikim për protestën e 8 shtatorit pranë Parlamentit.
Reagimi i AGSH
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë dhe dënon me forcë kërcënimin serioz ndaj jetës së gazetarit të News24, Osman Stafa.
Sipas kallëzimit të depozituar pranë Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, gazetari ka marrë në llogarinë e tij në Facebook një mesazh me përmbajtje të drejtpërdrejtë kërcënuese, ku ndër të tjera shkruhet: “mbaje mend do të vras” dhe “këtë ta garantoj”.
Sipas dëshmisë së gazetarit, kërcënimi dyshohet se lidhet me një material filmik të realizuar dhe publikuar prej tij gjatë protestës së 8 shtatorit pranë Parlamentit, ku kishte dokumentuar veprimet e disa personave civilë gjatë ndalimit dhe arrestimit të një protestuesi.
AGSH vlerëson se kërcënimet me vdekje ndaj një gazetari, veçanërisht kur lidhen me ushtrimin e detyrës dhe publikimin e materialeve me interes publik, janë të papranueshme dhe përbëjnë një sulm të rëndë jo vetëm ndaj sigurisë individuale të gazetarit, por edhe ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Ne i kërkojmë Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë të veprojnë me urgjencë, të identifikojnë personin ose personat që qëndrojnë pas llogarisë nga e cila është dërguar kërcënimi, të hetojnë motivin dhe çdo lidhje të mundshme të tij me punën gazetareske të Osman Stafës dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së gazetarit.
AGSH do ta ndjekë nga afër këtë rast dhe pret që autoritetet të informojnë publikisht për ecurinë e hetimeve. Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk duhet të normalizohen dhe as të mbeten pa autor. Çdo gazetar duhet të jetë në gjendje të dokumentojë dhe raportojë ngjarjet me interes publik pa frikën se për këtë do të kërcënohet me jetë./k.m
