Gazetarja dhe moderatorja Aulona Musta ishte e ftuara e radhës në podcastin e Grida Duma, ku ndau një nga rrëfimet më personale të viteve të fundit, duke folur hapur për jetën private, sfidat shëndetësore, karrierën dhe familjen.
Gjatë bisedës, Aulona tregoi se ndihet e lumtur me jetën që ka ndërtuar dhe se nuk ndikohet nga komentet negative në rrjetet sociale. Përkundrazi, ajo tha se i sheh ato me humor, duke shtuar me ironi: “Unë fitoj para edhe nga sharësit”, ndërsa sfidoi kritikët që të shprehin të njëjtat mendime edhe përballë saj.
Një nga momentet më prekëse të intervistës ishte rrëfimi për periudhën kur disa analiza mjekësore ngritën dyshime për një tumor. Moderatorja foli për ankthin, frikën dhe pasigurinë që përjetoi gjatë kontrolleve dhe vizitave të shumta te mjekët, deri në marrjen e përgjigjeve përfundimtare që i dhanë qetësi.
Në podcast, Aulona u ndal edhe te rrugëtimi i saj profesional. Ajo kujtoi fillimet në emisionin “Kafazi i Artë”, eksperiencat e para në gazetari dhe rrugën që ndoqi për të ndërtuar një karrierë të suksesshme dhe të pavarur në media.
Biseda preku edhe jetën e saj personale, martesën dhe raportin me vajzën, tema për të cilat moderatorja foli me sinqeritet, duke ndarë këndvështrimin e saj për ekuilibrin mes familjes dhe profesionit.
E pyetur nëse do ta shihte ndonjëherë veten pjesë të politikës, Aulona u përgjigj me humor, duke deklaruar se atë fushë ua ka lënë influencerëve, ndërsa vetë do të vazhdojë të merret me profesionin që ka zgjedhur prej vitesh./mxh
