Qendrat e këshillimit që mbështesin myslimanët viktima të diskriminimit dhe krimeve të urrejtjes në Gjermani po raportojnë një rritje shqetësuese të incidenteve antimyslimane.
Sipas një raporti të publikuar nga organizata CLAIM, gjatë vitit 2025 janë dokumentuar 4 096 raste të islamofobisë, ndër të cilat 214 kanë përfshirë dhunë fizike.
Autorët e raportit theksojnë se shifra reale mund të jetë shumë më e lartë, pasi një numër i madh incidentesh nuk raportohen.
Kjo ndodh veçanërisht në shkolla, por edhe gjatë kontakteve me autoritetet dhe policinë, ku viktimat shpesh hasin vështirësi në paraqitjen e ankesave.
Raporti evidenton gjithashtu një “normalizim” të diskriminimit, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj myslimanëve. Sipas organizatës, përballja e vazhdueshme me sjellje raciste ka bërë që shumë persona të mos i raportojnë më incidentet, edhe pse ato ndikojnë ndjeshëm në ndjenjën e sigurisë dhe cilësinë e jetës së tyre.
Në komunitetet e prekura po përhapet një klimë frike dhe dorëzimi.
Shumë prindër, për shembull, hezitojnë të raportojnë incidente në shkolla nga frika e pasojave apo hakmarrjes.
Megjithëse numri i rasteve të regjistruara është rritur, CLAIM thekson se krahasimi i drejtpërdrejtë me vitin e kaluar është i vështirë, pasi në vitin 2025 në monitorim morën pjesë më shumë qendra këshillimi.
Në vitin 2024, 26 qendra në 13 lande regjistruan 3 080 raste, ndërsa në vitin 2025, 38 qendra në 15 lande raportuan 4 096 incidente.
Sipas raportit, diskriminimi nuk kufizohet vetëm në dhunën fizike.
Një nxënës mysliman në Schleswig-Holstein tregoi se gjatë diskutimeve në klasë për ekstremizmin ose terrorizmin, mësuesi i kërkonte vazhdimisht të shprehte qëndrimin e tij ose të “distancohej” nga veprimet e personave që identifikoheshin me të njëjtën fe.
Gjatë prezantimit të raportit, i mbijetuari i sulmit racist të Hanau-t, Said Etris Hashemi, paralajmëroi se urrejtja ndaj myslimanëve fillon shumë përpara dhunës fizike.
“Kur njerëzit etiketohen kolektivisht si problem, fjalët kanë pasoja”, tha ai.
Ndërkohë, drejtoresha e CLAIM-it, Rima Hanano, shprehu shqetësimin se fenomeni i islamofobisë nuk po merr vëmendjen e nevojshme nga autoritetet gjermane dhe kërkoi angazhim më të madh institucional për ta luftuar atë./mxh
