Last Updated on 09/03/2026 by Anisa
Për herë të parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka nisur funksionimi i kabinetit të vlerësimit vestibular, një hap i rëndësishëm për diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve që vuajnë nga çrregullime të veshit të brendshëm.
Ky kabinet ofron mundësinë e kryerjes së testimeve vestibulare, të cilat janë vendimtare për identifikimin e saktë të shkakut të sëmundjes. Specialistët theksojnë se një diagnozë e saktë është çelësi për orientimin e trajtimit dhe rehabilitimit të duhur, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve.
Sipas të dhënave të shërbimit, rreth një e treta e pacientëve që paraqiten në Shërbimin ORL kanë nevojë për kryerjen e këtij testimi.
Kabineti është ngritur falë një projekti të financuar nga Agjencia Kombëtare e Kujdesit Shëndetësor dhe Inspektimit (AKKSHI), në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë të Tiranës (UMT), duke e bërë këtë kabinet të pari i këtij lloji në sistemin publik shëndetësor shqiptar.
Ky zhvillim pritet të ofrojë një standard më të lartë diagnostikimi dhe trajtimi për pacientët me çrregullime vestibulare, duke sjellë një avancim të rëndësishëm në fushën e ORL-së në vend./A.D
