Last Updated on 02/12/2025 by Monika
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka analizuar tensionet e fundit mes qeverisë dhe drejtësisë, duke deklaruar se “Edi Rama e ka të humbur betejën me gjyqësorin”, pasi sistemi i ri i drejtësisë është ngritur me standarde të qarta dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë.
Malaj, i angazhuar aktualisht në hartimin e një libri mbi integritetin e politikanëve të rinj, theksoi se momentet e vështira janë prova më e mirë e integritetit politik. Sipas tij, kryeministri është i detyruar të ndërmarrë hapa konkretë, madje edhe shkarkime, pasi rasti i një ministreje nën akuzë për korrupsion nuk mund të krahasohet me rastet e mëparshme, ku një zv/ministër u largua vetëm për thyerje të një norme administrative.
Ai paralajmëroi se praktika e “dorëheqjeve automatike” në momentin që hapet një hetim mund të kthehet në instrument manipulimi politik, por shtoi se standardet janë të domosdoshme, sidomos kur qeveria ka shpallur vetë tolerancë zero ndaj shkeljeve në fillim të mandatit të saj aktual.
Sipas Malajt, qeveria po e percepton drejtësinë si presion, ndërsa institucionet e reja, si SPAK, kanë treguar pavarësi dhe rezultate konkrete. “Ky institucion është ngritur me partnerët tanë strategjikë dhe nuk kapet”, u shpreh ai, duke argumentuar se sulmet publike ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk dëmtojnë drejtësinë, por imazhin e vetë ekzekutivit.
Ish-ministri kritikoi gjithashtu mungesën e transparencës, duke u ndalur tek mënyra se si kryeministri ka menaxhuar debatin për kompetencat e pushteteve. Sipas tij, Rama duhej të kishte publikuar menjëherë kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në vend të deklaratave të përditshme, të cilat, sipas Malajt, synojnë të ndikojnë opinionin publik. Ai shtoi se reagimi i vakët i qytetarëve dhe apatia e shoqërisë civile kanë krijuar bindjen se komunikimi individual i kryeministrit mund të zëvendësojë debatin publik.
Në përfundim, Malaj paralajmëroi se nëse mandati i katërt i qeverisë përfundon si “fotokopje” e tre mandateve të mëparshme, situata politike dhe institucionale në vend rrezikon të përkeqësohet më tej. Ai bëri të ditur se në librin që po përgatit, Edi Rama do të ketë një vend qendror si “figurë antagoniste”, duke përfshirë përplasjet e tij me institucionet që prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, largimin nga bordi i Bankës së Shqipërisë dhe konfliktet e brendshme brenda Partisë Socialiste./mxh
