Last Updated on 28/11/2026 by Anisa
Qindra efektivë të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe forcat speciale, janë angazhuar në një plan të shtuar masash sigurie në qytetin e Vlorës, në kuadër të festimeve për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë.
Dhjetëra furgonë policie dhe efektivë janë pozicionuar në çdo kryqëzim, përgjatë gjithë aksit rrugor nga hyrja e qytetit deri në Sheshin e Flamurit, ku pritet të zhvillohet ceremonia zyrtare.
Masat e shtuara vijnë në prag të nisjes së aktiviteteve festive, ku pritet të jenë të pranishëm krerët më të lartë të shtetit shqiptar, përfshi kryeministrin Rama, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Në terren ndodhet edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili po ndjek nga afër organizimin dhe menaxhimin e masave të sigurisë në Sheshin e Flamurit.
Policia ka marrë në kontroll pikat kryesore të qytetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ceremonive të 28 Nëntorit në Vlorë.
Në Tiranë është lajmëruar një protestë kombëtare në vazhdën e revoltës së nisur më 31 maj të këtij viti. Prej asaj date vendi është përfshirë në protesta që gjatë tetorit sollën edhe skena dhune dhe përleshje mes studentëve dhe policisë.
